spurgeon dev 30 shtator am
September 2023

I këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

Psalmi 66:2

Nuk na takon neve të zgjedhim nëse do ta lavdërojmë Perëndinë ose jo. Lavdërimi është detyrimi më i ligjshëm që kemi ndaj Perëndisë, dhe çdo i krishterë, duke qenë përfituesi i hirit hyjnor, është i detyruar ta përlëvdojë Atë ditë e natë.

Është e vërtetë se nuk ekziston ndonjë tekst zyrtar për lavdërimin e përditshëm dhe asnjë urdhëresë që të përcaktojë oraret e këngës dhe të falënderimit: mirëpo, ligji i shkruar në zemrat tona na mëson se lavdërimi i Perëndisë është gjëja e drejtë dhe mandati i pashkruar vjen te ne po me aq forcë sikur të ishte shkruar mbi rrasa guri ose sikur të na ishte dhënë nga maja e mbuluar me re dhe vetëtima e malit Sinai.

Po, i krishteri e ka për detyrë ta përlëvdojë Perëndinë. Nuk është vetëm një ushtrim që të fal kënaqësi, por edhe një detyrim i pashmangshëm për jetën e tij. Ju që vajtoni gjatë gjithë kohës, mos mendoni se jeni pa faj në këtë mes, dhe as mos t’ju shkojë nëpër mend se mund ta kryeni detyrën tuaj përpara Perëndisë pa i kënduar Atij këngë lavdërimi. Jeni të shtrënguar nga lidhjet e dashurisë së Tij, që ta bekoni emrin e Tij për sa kohë që rroni mbi këtë tokë, prandaj, lavdërimi i Tij duhet të jetë vazhdimisht në gojën tuaj, sepse ju jeni bekuar me qëllim që të mund ta bekoni Atë—“Populli që kam formuar për vete do të shpallë lëvdimet e mia” (Isaia 43:21). Dhe në qoftë se nuk e lëvdoni Perëndinë, nuk po prodhoni frytet që Ai ka të drejtë të presë prej jush. 

Mos e lini harpën tuaj të varet nëpër shelgje, por merreni në duar dhe bjerini me zemër mirënjohëse, duke luajtur me të muzikën më të gëzueshme! Ngrihuni dhe shpallni lëvdimet e Tij! Me agimin e çdo mëngjesi, ngrini kënget tuaja të falënderimit, dhe çdo perëndim dielli le të shoqërohet nga kantiku juaj! Qarkojeni rruzullin me këngët tuaja të lavdërimit; rrethojeni atë me një atmosferë të melodishme, dhe Vetë Perëndia do të dëgjojë nga qielli dhe do ta pranojë muzikën tuaj!

Për jetë e mot të desha dhe të dua,
Dhe do t’këndoj Ty për lëvdim,
Sepse je shumë i dashuri im Perëndi
Dhe Shpëtimtari, Mbreti im.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>