spurgeon dev 30 shtator pm
September 2023

Më mirë një qen i gjallë se një luan i ngordhur.

Predikuesi 9:4

Jeta është mjaft e çmuar, dhe madje edhe në formën e saj më shtazarake, është një mijë herë më e mirë se vdekja. Kjo është një e vërtetë që duket qartë, veçanërisht në gjërat frymërore. Është më mirë të jesh i fundit brenda mbretërisë së qiellit, sesa i pari jashtë saj. Shkalla më e ulët e hirit ia kalon edhe zhvillimit më fisnik të natyrës së parilindur. Në shpirtin ku Fryma e Shenjtë mbjell jetë hyjnore gjendet një depozitë e vyer, me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë nga përsosjet e shkollimit të mirë. Hajduti mbi kryq qëndron shumë më lart sesa Cezari në fronin e tij; Llazari [që dergjet] mes qenve është në një pozitë më të mirë sesa Ciceroni [tek mban fjalim] përpara senatorëve; dhe në sytë e Perëndisë, i krishteri më i pashkolluar qëndron më lart nga Platoni. Jeta është shenja dalluese e fisnikërisë në sferën e gjërave frymërore, dhe njerëzit që nuk e kanë, nuk janë veçse mostrat më të papërpunuara ose më të përpunuara të të njëjtit material të pajetë, duke pasur nevojë për t’u sjellë në risinë e jetës, sepse janë të vdekur në shkelje e mëkate.

Një predikim i gjallë dhe plot dashuri i Ungjillit, sado  i varfër në lëndë dhe i papërpunuar në stil, është një mijë herë më i mirë sesa mesazhi më i shkëlqyer, por që është i zhveshur nga vajosja dhe fuqia. Një qen i gjallë të ruan më mirë se një luan i ngordhur, dhe për rrjedhojë ka më tepër vlerë për të zotin; po kështu, edhe predikuesi i perëndishëm më i dobët është një mijë herë më i mirë sesa oratori më mbresëlënës, i cili nuk ka urtësi tjetër veç asaj të fjalëve të tij, dhe as energji tjetër veç asaj të vetes.

E njëjta gjë vlen edhe për lutjet tona dhe për ushtrimet e tjera frymërore: në qoftë se i kryejmë në fuqinë e Frymës së Shenjtë, ato janë të pëlqyeshme për Perëndinë përmes Jezu Krishtit, megjithëse në pamje të parë mund të na duken si gjëra pa vlerë; ndërsa bëmat tona të lavdishme, të cilat i kemi kryer pa zemër, janë si luanë të ngordhur, pra, janë cofëtina në sytë e Perëndisë të gjallë. Ne kemi nevojë për rënkimet e gjalla, ofshamat e gjalla, dëshpërimet e gjalla, në vend të këngëve të pajeta dhe qetësisë së thellë. Çdo gjë tjetër është më e mirë se vdekja. Të paktën hungërimat e qenit të ferrit do të na mbajnë zgjuar, sepse a mund të ketë mallkim më të madh për një njeri sesa besimi i vdekur dhe rrëfimi i pajetë i besimit? Gjallërona, o Zot, gjallërona!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>