spurgeon dev 30 qershor am
Qershor 2023

“Dhe unë u kam dhënë atyre lavdinë që më ke dhënë.”

Gjoni 17:22

Pa sodisni bujarinë e pamasë të Zotit Jezus, sepse na ka dhënë gjithçka që është dhe ka. Megjithëse mjafton një e dhjeta e të gjitha zotërimeve të Tij për t’i bërë ushtritë pafund të engjëjve të pasurohen përtej çdo përfytyrimi, Ai, prapëseprapë, nuk mbeti i kënaqur derisa na i dha neve të gjitha sa i takonin Atij. Do të kishte qenë hir i mahnitshëm për ne sikur të na kishte lejuar të hanim thërrimet e bollëkut të Tij poshtë tryezës së mëshirës së Tij; por Ai nuk lë asgjë pa e bërë ashtu si duhet. Ai na ul në tryezën e Vet dhe na lejon të marrim pjesë në gostinë që ka shtruar.

Edhe sikur të na kishte dhënë një dhurim të vogël nga thesari i Tij mbretëror, ne do të kishim pasur arsye për ta dashur me një dashuri të amshueshme; por, në fakt, Ai dëshiron që nusja e Tij të jetë po aq e pasur sa edhe Ai Vetë, dhe kështu nuk do të lërë asnjë lavdi apo hir pa e ndarë me të. Ai nuk ka mbetur i kënaqur pa na bërë edhe ne bashkëtrashëgimtarë me Vetveten, me qëllim që edhe ne të mund të kishim pjesë të barabartë me Të në pasuritë e Tij. Ai i ka derdhur të gjitha pasuritë e Veta në gjymtyrët e Kishës dhe e ka ndarë çdo gjë me të shpenguarit e Tij. Në shtëpinë e Tij nuk ka asnjë odë, çelësin e së cilës Ai të mos ia japë njerëzve të Vet. Ai u njeh atyre liri të plotë, që ta marrin gjithçka ka Ai dhe ta shijojnë për vete; Ai lumturohet tek i sheh të marrin prej thesareve të Tij, madje kur marrin gjithë sa mund të mbartin me vete.

Plotësia e pakufishme e gjithëmjaftueshmërisë së Tij për besimtarët është po aq falas, sa edhe ajri që thithin. Krishti e ka vënë kupën e dashurisë dhe hirit të Tij në buzët e besimtarit, dhe e fton që të pijë prej saj për jetë e mot. Po deshi, besimtari edhe mund ta mbarojë atë, por meqë nuk e shteron dot, ai është i ftuar që të pijë prej saj sa të dojë, sepse është e gjitha e tij. A ekziston vallë ndonjë provë më e mirëfilltë përbashkësie në qiell a në tokë? 

Kur përpara fronit t’qëndroj
Veshur me hijeshinë Tënde;
Kur ashtu siç je do t’vështroj,
Me zemër t’dëlirë dashuri do të të tregoj;
Atëherë do t’njoh plot’sisht, o Zot—
Por deri atëherë—sa shumë t’detyrohem.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin