spurgeon dev 30 qershor pm
Qershor 2023

“Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.”

Jeremia 32:17

Pikërisht në kohën kur kaldeasit rrethuan Jerusalemin, dhe kur shpata, uria dhe murtaja kishin bërë kërdinë në vend, Jeremia u urdhërua nga Perëndia që të blinte një arë dhe ta realizonte kalimin e ligjshëm të pronësisë duke e vulosur tapinë në prani të dëshmitarëve. Mund të themi se kjo ishte një blerje e çuditshme për një njeri të arsyeshëm. Gjykimi i matur nuk mund ta justifikonte dot një veprim të tillë, sepse kjo ishte një blerje ku blerësi zor se do ta gëzonte ndonjëherë pronën e tij. Mirëpo, për Jeremian mjaftonte fakti që Perëndia i tij e kishte udhëzuar ta bënte një gjë të tillë, sepse ai ishte i sigurt që Perëndia nuk kërkon gjëra të kota nga fëmijët e tij. Arsyetimi i tij ishte si më poshtë: “Zot Perëndi, Ti mund ta bësh këtë copë toke të dobishme për mua; Ti mund t’i shporrësh këta shtypës nga kjo tokë; Ti mund të më bësh mua të ulem përsëri poshtë pjergullës dhe fikut tim në trashëgiminë që kam blerë; sepse Ti krijove qiejt e tokën dhe nuk ka asgjë tepër të vështirë për Ty.” Kjo është ajo që i bënte madhështorë shenjtorët e hershëm, sepse, në bazë të urdhrave të Perëndisë, guxuan të kryenin veprime të cilat arsyeja njerëzore do t’i dënonte.

Qoftë një Noe që do të ndërtojë një anije në tokë të thatë, një Abraham që duhet ta ofrojë birin e tij të vetëm si flijim, një Moisi që duhet t’i përbuzë thesaret e Egjiptit, apo një Jozue që duhet ta mbajë të rrethuar Jerikon për shtatë ditë, duke mos përdorur asnjë armë, por vetëm ushtimat e borive, të gjithë këta njerëz, pra, veprojnë sipas urdhrit të Perëndisë, kundër diktatit të arsyes njerëzore; dhe Zoti u jep atyre një shpërblim të pasur si rezultat i besimit të tyre të bindur. Dashtë Perëndia që, në krishterimin e këtyre kohëve moderne, të kemi një derdhje sa më të fuqishme të këtij besimi heroik në Perëndinë. Sikur të guxonim më shumë që t’i vinim në praktikë premtimet e thjeshta të Perëndisë, do të hynim në një botë mrekullish, të cilën as e kemi njohur dhe as e kemi shkelur. Paçim edhe ne të njëjtën siguri besimi sikurse Jeremia, sepse nuk ka asgjë tepër të vështirë për Perëndinë që krijoi qiejt dhe tokën!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin