Prill 2023

Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin.

Numrat 14:2

Ashtu siç kishte murmuritës në kampin e Izraelit të lashtë, ka edhe mes të krishterëve sot. Ka nga ata që kur ndëshkohen, qajnë e vajtojnë kundër vuajtjes. Ata ngrenë pyetjen: “Përse po vuaj vallë? Ç’kam bërë vallë që ta meritoj këtë ndëshkim?”.

Kam nja dy fjalë me ty, o murmuritës! Pse vallë duhet të murmurisësh kundër mënyrave se si të trajton Ati yt Qiellor? A mos vallë të trajton Ai më ashpër se ç’e meriton? Sill ndër mend se çfarë rebeli ishe dikur, por megjithatë, Ai të ka falur! Natyrisht, ti nuk ke pse ankohesh nëse Ai, në urtësinë e Tij, e konsideron të nevojshme të të ndëshkojë. Në fund të fundit, a je goditur aq rëndë sa e meritojnë mëkatet e tua? Ki parasysh prishjen që struket në zemrën tënde dhe atëherë nuk besoj se do të habitesh se përse nevojitet kaq dajak për ta nxjerrë atë jashtë? Peshoje veten dhe shih se me sa zgjyrë është përzier ari yt; dhe a mendon se zjarri është më i nxehtë se ç’duhet, për ta pastruar gjithë atë zgjyrë që ke? A nuk dëshmon ai shpirti yt krenar e kryengritës se zemra jote nuk është shenjtëruar plotësisht? A nuk janë ato fjalë të thëna nëpër dhëmbë në kundërshtim me natyrën e shenjtë dhe të nënshtruar të fëmijëve të Perëndisë? A nuk të nevojitet, pra, disiplinimi [hyjnor]?

Mirëpo, nëse do të murmurisësh kundër ndëshkimit, dije se gjërat nuk do të shkojnë mirë për murmuritësit. Ndëshkimin e parë nga Perëndia gjithnjë e pason një i dytë, nëse fëmijët e Tij nuk reagojnë si duhet herën e parë. Mirëpo, dije këtë—“... [Zoti] nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve” (Vajtimet 3:33). Të gjitha disiplinimet e Tij karakterizohen nga dashuria, për të të pastruar dhe për të të afruar te Vetja. Me siguri do të të ndihmojë që ta përballosh purtekën me nënshtrim, po të arrish të dallosh dorën e Atit mbi të. “Sepse Zoti ndreq atë që do; dhe fshikullon çdo bir që ai pranon” (Hebrenjve 12:6). “As të mos murmurisni, sikundër edhe disa nga ata murmuritën, dhe u vranë nga shkatërruesi” (1 e Korintasve 10:10).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin