Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!
Psalmi 139:17
Gjithëdija hyjnore nuk i ofron kurrfarë ngushëllimi mendjes së paperëndishme, por për fëmijën e Perëndisë ajo është e tejmbushur me përdëllim. Perëndia mendon pa pushim për ne dhe asnjëherë nuk e largon mendjen prej nesh, ne jemi gjatë gjithë kohës përpara syve të Tij; dhe pikërisht kështu duhet të duam që të jetë, sepse do të ishte e tmerrshme të ekzistonim qoftë edhe për një çast të vetëm jashtë mbikëqyrjes së Atit tonë Qiellor. Mendimet e Tij janë përherë dashamirëse, të dashura, të urta, të kujdesshme, gjithëpërfshirëse dhe na sjellin të mira pa numër, prandaj është një kënaqësi e pashoqe t’i kujtojmë ato. Zoti ka menduar gjithmonë për popullin e Tij [qysh përpara fillimit të kohërave]: prej kësaj rrjedh zgjedhja e tyre dhe besëlidhja e hirit, përmes së cilës shpëtimi bëhet i sigurt. Ai do të mendojë gjithmonë për ta [deri në fund të kohërave]: prej kësaj rrjedh këmbëngulja përfundimtare [e shenjtorëve], përmes së cilës, ata do të mbërrijnë në siguri të plotë në prehjen e tyre të përjetshme.
Ngado që endemi, mbi vete kemi vazhdimisht vështrimin vigjilues të Rojtarit të Përjetshëm—asnjëherë nuk i shpëtojmë syrit të Bariut. Në vuajtjet tona, Ai na vëzhgon pa ndërprerje dhe asnjë psherëtimë e jona nuk i shpëton Atij; në punët tona të lodhshme, Ai vëren rraskapitjen tonë dhe shkruan në librin e Tij të gjitha betejat e besnikëve të Vet. Këto mendime të Zotit na rrethojnë në të gjitha shtigjet tona dhe depërtojnë deri në skutat më të thella të qenies sonë. Asnjë nerv apo ind, asnjë valvul apo enë gjaku e trupit tonë, nuk mbetet pa përkujdesjen [e Zotit]; asnjë vogëlsirë e botës sonë të vogël nuk i shpëton mendimit të Perëndisë tonë të madh.
I dashur lexues, a nuk është e çmueshme kjo për ty? Atëherë, kapu fort pas saj! Mos i lër ata filozofë të marrë, të cilët propagandojnë [teoritë e tyre] rreth një Perëndie jopersonal dhe materies vetekzistuese dhe vetërregulluese, të të çojnë në rrugë të gabuar! Zoti jeton dhe mendon për ne; kaq e çmueshme është kjo e vërtetë për ne, [sa do të bënim një marrëzi të madhe po ta linim] të na e merrnin lehtësisht nga duart. Nëse vëmendja e një personi të rëndësishëm është kaq e lakmueshme, sa ai që e ka, mendon se e ka të fituar davanë e jetës, atëherë, sa më e rëndësishme është vëmendja e Mbretit të mbretërve! Nëse Zoti mendon për ne, gjithçka shkon mirë dhe mund të ngazëllehemi për jetë e mot.
© dritez.al 2024