spurgeon dev 30 nëntor am
November 2023

Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: “Por ç’do t’i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?”. Njeriu i Perëndisë u përgjigj: “ZOTI mund të të japë më tepër se aq.”

2 i Kronikave 25:9

Për mbretin e Judës, kjo dukej se ishte një pyetje shumë e rëndësishme, dhe ka gjasa që të ketë edhe më shumë peshë për të krishterin e sprovuar e të tunduar. Humbja e parave nuk është asnjëherë diçka e këndshme, dhe kur vjen si pasojë e besnikërisë ndaj një parimi, nuk jemi gjithmonë gati për ta bërë sakrificën. “Përse të humbasim atë që mund të përdoret në mënyrë të dobishme? A mund të ndodhë vallë që të paguajmë tepër shtrenjtë për të vërtetën? Kujto pak fëmijët dhe të ardhurat tona të pakta!”

Të gjitha këto gjëra dhe një mijë të tjera do ta tundonin të krishterin për të shtënë në dorë një fitim të padrejtë, ose për të mos i qëndruar besnik bindjeve të ndërgjegjes së tij, kur ato sjellin humbje të mëdha. Jo të gjithë njerëzit i shohin këto çështje në dritën e besimit; madje edhe ndër dishepujt e Jezusit duket se i jepet shumë rëndësi idesë që thotë: “Ne të gjithë duhet të jetojmë.”

“ZOTI mund të të japë më tepër se aq” është një përgjigje shumë e mirë ndaj një pyetjeje kaq të ethshme. Ati ynë mban gjalmat e qeses së parave, dhe na e shpërblen njëmijëfish çdo gjë që humbasim për hir të Tij.

Detyra jonë është që t’i bindemi vullnetit të Tij, dhe mund të rrimë të qetë, sepse Ai do të sigurojë për ne. Në fund të fundit, nuk ka për të ndodhur që Zoti t’i mbetet borxhli dikujt.

Të krishterët e dinë se një gram kënaqësi në zemër vlen më tepër sesa një ton ar. Ai që mban veshur një xhaketë të cergosur, duke pasur një ndërgjegje të pastër, ka gjetur një thesar frymëror pafundësisht më të dëshirueshëm se çdo gjë tjetër që mund të ketë humbur.

Është më mirë që një zemër e vërtetë të jetë në një birucë dhe të ketë buzëqeshjen e Perëndisë, sesa të jetë në një pallat dhe të ketë zemërimin e Tij, gjë që për një shpirt që beson, do të ishte ferri vetë.

Edhe sikur gjërat të bëhen keq e më keq, edhe sikur të humbasim edhe talentin e fundit, nuk e kemi humbur thesarin tonë, sepse ai gjendet atje lart, ku Krishti ulet në të djathtë të Perëndisë. Ndërkaq, madje edhe tani, Zoti bën që zemërbutët ta trashëgojnë tokën, dhe nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin