spurgeon dev 30 nëntor pm
November 2023

…Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; dhe dragoi luftoi edhe engjëjt e tij.

Zbulesa 12:7

Lufta do të ziejë gjithmonë mes dy pushteteve të mëdha, derisa të mposhtet njëri prej tyre. Paqja mes së mirës dhe së keqes është e pamundur; pretendimi se një gjë e tillë është e mundur, do të ishte një tregues i fitores së fuqive të errësirës. Mikaeli do të luftojë për jetë e mot; shpirti i tij i shenjtë fyhet nga mëkati dhe nuk do ta durojë atë. Jezusi do të jetë përgjithmonë armiku i dragoit, jo një armik pasiv, por një armik aktiv, energjik dhe plotësisht i vendosur për ta shfarosur të keqen. Gjithë shërbëtorët e Tij, qofshin këta engjëj në qiell, apo lajmëtarë në tokë, jo vetëm që do të luftojnë, por edhe duhet të luftojnë. Në fund të fundit, kanë lindur për të qenë luftëtarë. Te kryqi, ata lidhen besë a besë për të mos bërë kurrë armëpushim me të keqen; ata janë një kompani luftëtarësh, të pathyeshëm në mbrojtje dhe të egër në sulm. Detyra e çdo ushtari në ushtrinë e Zotit është e përditshme, që të luftojë me gjithë zemrën, shpirtin dhe fuqinë e tij kundër dragoit.

Dragoi dhe engjëjt e tij nuk do t’i shmangen betejës; ata nuk reshtin së sulmuari, të përgatitur për të përdorur çfarëdolloj arme. Do të ishim të marrë po të mendonim se do t’i shërbenim Perëndisë pa na vënë shkopinj në rrota: sa më të zellshëm që të jemi, aq më shumë sulme mund të presim nga rrufjanët e ferrit. Kisha mund të bëhet përtace, por jo kundërshtari i saj i madh; fryma e tij e ethshme nuk e lë betejën të reshtë për asnjë çast. E urren fort farën e gruas, dhe do ta gllabëronte me gjithë qejf Kishën sikur të mundej. Shërbëtorët e Qoftëlargut bashkëndajnë energjinë e dragoit të lashtë dhe zakonisht janë një skuadër aktive. Lufta ndizet nga të gjitha anët, kështu që të ëndërrosh për paqe është diçka e rrezikshme dhe e kotë. 

Lavdi i qoftë Perëndisë, ne e dimë përfundimin e betejës! Dragoi i madh do të hidhet poshtë dhe do të shkatërrohet një herë e përgjithmonë, ndërsa Jezusi dhe ata që janë me Të, do të marrin kurorën. Prandaj, le t’i mprehim shpatat sonte dhe le t’i lutemi Frymës së Shenjtë që të na bëjë gati për konfliktin që na pret. Kurrë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë betejë tjetër kaq të rëndësishme dhe kurorë tjetër kaq të lavdishme. Përpara ushtarë të kryqit, secili në pozicionin e vet, dhe dashtë Zoti që ta shtrijë të Paudhin poshtë këmbëve tuaja sa më shpejt që të jetë e mundur!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin