Mars 2023

…sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve…

Isaia 53:12

Vallë, pse e la Jezusi veten të numërohej midis mëkatarëve? Kjo vetëpërulje e mrekullueshme justifikohet nga shumë arsye të forta. Duke u numëruar midis tyre, Ai mund të ishte një avokat më i mirë për ta. Në disa gjyqe ndodh njëjtësimi i klientit me këshilltarin ligjor, dhe nga këndvështrimi ligjor, ata nuk mund të shihen si të ndarë nga njëri-tjetri. Tani, kur e sjellin mëkatarin në bankën e të akuzuarve, Vetë Jezusi shfaqet atje. Ai qëndron në këmbë për t’iu përgjigjur akuzës. Ai tregon ijën, duart dhe këmbët e Tij, dhe e sfidon Drejtësinë që të paraqesë çfarëdolloj prove kundër mëkatarëve të përfaqësuar prej Tij. Ai u del atyre në mbrojtje, duke paraqitur si provë gjakun e Tij, dhe mbrojtja e Tij triumfon, sepse është numëruar midis tyre dhe se është njëri prej tyre, kështu që Gjyqtari shpall: “Lërini të shkojnë; kursejini që të mos zbresin në gropë, se Ai ka gjetur shpengimin për ta!”. 

Zoti ynë Jezus u përfshi midis keqbërësve, me qëllim që ata t’i ndienin zemrat e tyre të tërhiqeshin drejt Tij. E kush mund të ketë frikë nga dikush, emri i të cilit është në të njëjtën listë me ne? Me siguri që mund të paraqitemi me guxim përpara Tij dhe t’ia rrëfejmë fajet tona. Ai që u numërua midis nesh, nuk mund të na dënojë. A nuk u shënua Ai vallë në listën e keqbërësve, me qëllim që emrat tanë të shkruheshin në pergamenën e purpurt të shenjtorëve? Ai ishte i shenjtë dhe u shënua midis të shenjtëve; ne ishim fajtorë dhe u përfshimë midis fajtorëve. Ai e heq emrin e Tij nga ajo listë dhe e vë në këtë aktakuzë të zezë, ndërsa emrat tanë hiqen nga aktakuza dhe vendosen në pergamenën e pranimit, sepse ka ndodhur një ndërrim i plotë vendesh midis Jezusit dhe popullit të Tij. 

Jezusi e ka marrë mbi vete gjithë pronën tonë të mjerimit dhe mëkatit; dhe gjithçka që Ai zotëron, e kalon te ne. Ai na e jep neve gjithë drejtësinë dhe gjakun e Tij, dhe gjithçka tjetër që Ai zotëron, si pajën tonë. Gëzohu, o besimtar, për bashkimin tënd me Atë që u numërua midis shkelësve; dhe dëshmoje se je vërtet i shpëtuar, duke u identifikuar qartazi me ata që janë krijesa të reja në Krishtin!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin