Mars 2023

Le të shqyrtojmë rrugët tona, t’i hetojmë dhe të kthehemi te Zoti.

Vajtimet 3:40

Bashkëshortja e cila e do me gjithë shpirt bashkëshortin e saj, kur ai është larg, e pret me padurim kthimin e tij. Madje ndarja e zgjatur nga ai është një agoni e vërtetë për shpirtin e saj. E njëjta gjë ndodh edhe me shpirtrat që e duan me plot zemër Shpëtimtarin; ata duhet ta shohin fytyrën e Tij dhe mezi e përballojnë faktin që Ai gjendet diku larg, duke mos pasur më përbashkësi me ta. Një vështrim kritik, një gisht i ngritur në shenjë qortimi do t’i trishtojë fëmijët zemërdashur, të cilët druhen se mos e lëndojnë atin e tyre zemërbutë, fëmijë të cilët janë të lumtur vetëm kur ky i fundit është fytyrëqeshur. 

Shumë i dashur, kështu ndiheshe edhe ti dikur! Mjaftonte një varg nga Shkrimi, një kërcënim, një e prekur e purtekës së vuajtjeve dhe ti shkoje te këmbët e Atit duke qarë: “Bëmë të ditur pse grindesh me mua.” A janë gjërat ende ashtu? A mos je vallë i kënaqur ta ndjekësh Jezusin nga larg? A mos vallë nuk të vë më në merak përbashkësia e ndërprerë me Krishtin? Si ta bën zemra vallë që Shumë i Dashuri yt shkon andej, ndërsa ti vjen këtej, duke ecur në një drejtim të kundërt me Të? Si mundet vallë të rrijë e qetë zemra jote kur mëkatet e tua kanë ngritur një mur ndarës mes teje dhe Perëndisë?

Lejomë të të paralajmëroj ngrohtësisht, sepse është një gjë e tmerrshme kur ne mund të jetojmë me ndërgjegje të qetë, pa e përjetuar vazhdimisht kënaqësinë e pranisë së Shpëtimtarit. Le të përpiqemi që ta përjetojmë se sa e ligë është një gjë e tillë—pak dashuri për Shpëtimtarin tonë që po vdes, pak gëzim në shoqërinë e Tij dhe pak përbashkësi me Shumë të Dashurin! Mbani një kreshmë të vërtetë në shpirtrat tuaj tek pikëlloheni për ngurtësimin e zemrës! Mirëpo, mos u mjaftoni me pikëllimin! Kujtoni se ku e morët për herë të parë shpëtimin! Mbajeni menjëherë frymën për te kryqi! Atje dhe vetëm atje do të rigjallërohet shpirti juaj. Nuk ka rëndësi se sa të ngurtë, se sa të pandjeshëm dhe se sa të vdekur mund të jemi bërë ndërkohë, por le të kthehemi sërish në të gjitha rreckat, skamjen dhe fëlliqësinë e gjendjes sonë natyrore. Le të kapemi fort pas atij kryqi, le të vështrojmë drejt atyre syve të përvuajtur, le të lahemi në burimin që gurgullon me gjak të shenjtë—këto do të na kthejnë te dashuria jonë e parë; do të risjellin thjeshtësinë e besimit tonë dhe butësinë e zemrës sonë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin