January 2023

“Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm.”

2 i Samuelit 5:24

Pjesëtarët e Kishës së Krishtit duhet të jenë njerëz të lutjes, duke kërkuar përherë që vajosja e Të Shenjtit të jetë mbi zemrat e tyre, duke u lutur që të vijë mbretëria e Krishtit dhe duke thënë: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mateu 6:10). Mirëpo, ka raste kur Perëndia duket se e favorizon veçanërisht Sionin; për ta, stinë të tilla duhet të jenë si “një zhurmë hapash në majat e Balsamit”. 

Prandaj, duhet të jemi dyfish lutës dhe dyfish të zellshëm, duke luftuar përpara fronit më shumë, sesa kemi bërë deri tani. Atëherë, veprimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe i fuqishëm. Batica është në të ardhur, prandaj, le të notojmë pa mënuar, si burrat drejt bregut! Oh, ku janë derdhjet e Frymës si në ditën e Rrëshajave dhe ku janë veprat e Rrëshajave! 

I krishterë, vjen një kohë kur brenda teje do “të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit”. Ato janë kohë kur ke një fuqi të veçantë në lutje; Fryma e Perëndisë të fal gëzim dhe hare; Shkrimi zbërthehet lehtësisht; premtimet vihen në zbatim; ti ecën në dritën e fytyrës së Perëndisë; ndihesh veçanërisht i lirë dhe i papenguar në kohën tënde të qetë dhe shijon një përbashkësi shumë më të afërt me Krishtin, sesa e ke pasur ndonjëherë. Tani, në periudha kaq të gëzueshme, kur dëgjon “një zhurmë hapash në majat e Balsamit”, dije se është koha të zgjohesh; tani është koha për të hequr qafe ndonjë zakon të keq, ndërsa Perëndia Frymë e Shenjtë të ndihmon në dobësitë e tua. Shpalosi velat e tua; por kujto këngën që këndon herë pas here…

Velat mundem vetëm t’i shpalos;
Por Perëndia duhet të fryjë erën e mbarë që ato i gufon.

Vetëm sigurohu që t’i kesh shpalosur velat. Kujdes se mos e humbet erën, për shkak se nuk je përgatitur për të. Kërko ndihmën e Perëndisë, që të jesh më i zellshëm në detyrë, tani që je forcuar në besim, në mënyrë që të mund të jesh më i qëndrueshëm në lutje, tani që ke më shumë liri për të dalë përpara fronit, si edhe që të mund të kesh një të folur më të shenjtë, tani që jeton gjithnjë e më afër Krishtit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin