30 janar

Janar 2022


Mësoje doktrinën tënde nga tekstet biblike, kështu ajo do të jetë më e qëndrueshme dhe do të të ushqejë shpirtin.

Për shembull, mësoje doktrinën e hirit të parezistueshëm nga tekstet biblike. Kështu do të shohësh se nuk do të thotë që hiri nuk mund të rezistohet; por do të thotë që kur Perëndia zgjedh, Ai mundet dhe e mposht atë rezistencë.

Tek Isaia 57:17-19, për shembull, Perëndia e qorton popullin e Tij rebel duke i goditur dhe duke jua fshehur fytyrën e Vet: “Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u zemërova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së vet” (vargu 17).

Sidoqoftë, ata nuk reaguan me pendim. Përkundrazi, vazhduan të largoheshin. Ata rezistuan: “por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së vet” (vargu 17).

Prandaj, hirit mund t’i rezistohet. Në fakt, Stefani u tha udhëheqësve judenj: “Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë” (Veprat 7:51).

Çfarë bën Perëndia atëherë? A është Ai i pafuqishëm për t’i sjellë ata që rezistojnë në pendim dhe plotësi? Jo. Ai nuk është i pafuqishëm. Vargu pasues thotë: “I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar” (Isaia 57:18).

Pra, përballë largimit kokëfortë që i reziston hirit, Perëndia thotë: “Unë do ta shëroj.” Ai “do t’i japë përsëri.” Fjala e përdorur këtu është “do ta bëj sërish të shëndoshë apo të plotë.” Kjo lidhet me fjalën shalom, “paqe”. Ajo plotësi dhe paqe përmendet në vargun pasardhës dhe kjo shpjegon si Perëndia e rikthen një person që është larguar dhe i ka rezistuar hirit.

Ai e bën këtë duke krijuar ‘“frytin e buzëve. Paqe, paqe (shalom, shalom), atij që është larg dhe atij që është afër’, thotë ZOTI, ‘Unë do ta shëroj’” (Isaia 57:19). Perëndia krijon atë që nuk është e pranishme—paqe, plotësi. Kështu shpëtohemi ne, kështu kthehemi nga largimi—herë pas here.

Hiri i Perëndisë triumfon mbi rezistencën tonë duke krijuar lavdërim atje ku ai nuk ekziston. Ai sjell shalom, shalom tek ata që janë afër dhe ata që janë larg. Plotësi, plotësi për atë që është afër dhe për atë që është larg. Ai e bën këtë duke “ripërtërirë,” domethënë, duke e zëvendësuar sëmundjen e rezistencës me shëndetin e nënshtrimit.

Ideja e hirit të parezistueshëm nuk është që ne nuk mund të rezistojmë. Ne mundemi dhe në fakt, rezistojmë. Ideja është që kur Perëndia zgjedh, Ai e mposht rezistencën tonë dhe na ripërtërin një frymë të nënshtruar. Ai krijon. Ai thotë: “U bëftë drita!” Ai shëron. Ai udhëheq. Ai ripërtërin. Ai ngushëllon!

Prandaj, ne nuk mburremi kurrë që jemi kthyer nga largimi ynë. Ne biem me fytyrë përtokë para Zotit dhe me një gëzim drithërues e falënderojmë Atë për hiri e Tij të parezistueshëm që e mposhti rezistencën tonë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia