spurgeon dev 30 gusht am
Gusht 2023

Prit me ngulm ZOTIN.

Psalmi 27:14

Pritja mund të duket një gjë e lehtë, mirëpo, nevojiten vite të tëra mësimi që një ushtar i krishterë ta mësojë këtë pozicion. Për luftëtarët e Perëndisë, marshimi i zakonshëm dhe marshimi i shpejtë janë më të lehtë sesa qëndrimi në një vend. Ka orë të vështira, në të cilat edhe shpirti më i gatshëm dhe më i etur për t’i shërbyer Zotit, nuk di ç’rrugë të ndjekë a anë të marrë. Mirëpo, ç’duhet të bëjë në një rast të tillë? A mos duhet të bjerë vallë pre e dëshpërimit? Të zmbrapsesh nga burracakëria, t’ia mbathësh nga frika apo të turresh përpara me mendjemadhësi? Jo nuk duhet bërë asnjëra nga këto, por thjesht duhet të presim. Mirëpo, duhet të presim duke ngulmuar në lutje. Thirri Perëndisë dhe paraqite rastin tënd para Tij; tregoji Atij për vështirësitë e tua dhe përgjëroju për premtimin e Tij për ndihmë. 

Kur je në mëdyshje midis një detyre dhe një tjetre, është më mirë të jesh i përulur porsi një fëmijë dhe të presësh me thjeshtësi zemre në Zotin. Me siguri që gjërat do të shkojnë mirë për ne kur jemi të vetëdijshëm për marrëzinë tonë dhe kur me të vërtetë jemi të gatshëm për t’u udhëhequr nga vullneti i Perëndisë. Mirëpo, mos harro të presësh në besim! Shprehja Atij besimin tënd të palëkundur; sepse pritja e karakterizuar nga mungesa e besnikërisë dhe mosbesimi nuk është veçse një fyerje për Zotin. Beso se edhe nëse Ai të lë të presësh deri pas mesnate, prapëseprapë do të vijë në kohën e duhur; vegimi do të vijë dhe nuk do të vonohet. Prit me një durim të qetë, jo duke u rebeluar ngaqë gjërat janë të vështira, por duke e bekuar Perëndinë tënd për privilegjin e mundimit. 

Asnjëherë mos u anko duke murmuritur kundër shkaktarit dytësor, ashtu siç vepruan bijtë e Izraelit kundër Moisiut. Asnjëherë mos dëshiro të kthehesh te bota, por pranoje situatën ashtu siç është, dhe vendose atë ashtu siç është, thjesht dhe me gjithë zemër, pa asnjë qëllim egoist, në duart e Perëndisë tënd të besëlidhjes, duke thënë: “Tani, Zot, mos u bëftë vullneti im, por Yti. Nuk di se çfarë të bëj. Më janë shterur të gjitha fuqitë, por do të pres derisa t’i largosh ujërat e përmbytjes ose t’i shporrësh armiqtë e mi. Unë do të pres, edhe sikur Ti të më sprovosh për pak kohë, sepse zemra ime të takon vetëm ty, o Perëndi, dhe shpirti im të pret me ngulm, me sigurinë e plotë se Ti do të jesh sërish gëzimi dhe shpëtimi im, strehimi dhe kështjella ime e fortë.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin