spurgeon dev 30 gusht pm
August 2023

Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem.

Jeremia 17:14

I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj.

Isaia 57:18

Shërimi nga sëmundjet frymërore është një e drejtë që i takon vetëm Perëndisë. Sëmundjet natyrore mund të kurohen përmes mjekëve njerëzorë me anë barnash e operacionesh, por edhe në ato raste, nderi duhet t’i jepet Perëndisë, i cili u jep urtësi doktorëve dhe i jep fuqi të mjaftueshme trupit njerëzor për t’u ngritur mbi sëmundjen. Për sa u përket sëmundjeve frymërore, këto mund të shërohen vetëm nga Mjeku i madh, i cili Vetë e thotë se kjo është prerogativa e Tij: “Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj” (Ligji i Përtërirë 32:39); në fakt, një prej titujve të preferuar të Zotit është Jahveh Rofi, “Zoti që të shëron”. “Do të shëroj plagët e tua”, është një premtim që kurrë nuk mund të dalë nga goja e robit, por vetëm nga goja e Hyjit të amshuar. 

Kjo është arsyeja pse psalmisti i klithi Zotit: “...shëromë, o ZOT, sepse kockat e mia po vuajnë” (Psalmi 6:2), dhe sërish: “...ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje” (Psalmi 41:4). Për këtë, edhe të perëndishmit e lëvdojnë emrin e Zotit duke thënë: “Ai… shëron të gjitha sëmundjet e tua” (Psalmi 103:3). Ai që e bëri njeriun, mund ta rimëkëmbë atë; Ai që e krijoi natyrën tonë në fillim, tashmë mund ta rikrijojë atë. Çfarë ngushëllimi i jashtëzakonshëm është fakti që në personin e Jezusit “banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9)!

Shpirti im, dije se ky Mjek i madh mund të të shërojë, cilado qoftë sëmundja që të ka zënë! Nëse Ai është Perëndi, fuqia e Tij nuk mund të ketë asnjë cak. Eja, pra, me syrin e verbër të kuptimit të errësuar; eja me këmbën çalamane të forcave të harxhuara; eja me dorën e thatë të besimit të dobët, ethet e temperamentit zemërak ose të ngjethurat e shkurajimit drithërues; eja ashtu siç je, sepse Ai që është Perëndi, me siguri që mund të të rimëkëmbë! Askush nuk mund ta ndalojë fuqinë shëruese që rrjedh nga Zoti ynë Jezus. Legjione të tëra djajsh kanë provuar që ta mposhtin fuqinë e Mjekut të dashur, por Ai nuk është vënë asnjëherë në pozitë të vështirë. Gjithë pacientët e Tij janë mjekuar në të kaluarën dhe do të mjekohen edhe në të ardhmen, madje edhe ti mund të jesh njëri prej tyre, miku im, nëse ia dorëzon veten Atij sonte.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin