spurgeon dev 30 dhjetor pm
December 2023

“Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim?”

2 i Samuelit 2:26

Lexues, në qoftë se je besimtar sa për emër dhe jo një zotërues i vërtetë i besimit që është në Krishtin Jezus, rreshtat e mëposhtëm janë një përshkrim i saktë i fundit tënd. 

Ti je një frekuentues i respektuar i një kishe ungjillore; ti shkon atje sepse kështu bëjnë edhe të tjerët, jo sepse zemra jote është në rregull me Perëndinë. Ky është fillimi yt. Le ta zëmë se, për njëzet a tridhjetë vitet e ardhshme, rrethanat do të të lejojnë që të vazhdosh kështu si sot, duke e shpallur besimin vetëm me fjalë dhe duke marrë pjesë në mjetet e hirit sa për sy e faqe, por pa i bërë këto gjëra me gjithë zemër. Qëndro për një çast, sepse duhet të të tregoj shtratin e vdekjes së një personi si puna jote! Le ta këqyrim atë me butësi për disa çaste. Një djersë e ftohtë bie mbi ballin e tij dhe ai zgjohet duke klithur: “O Perëndi, sa e vështirë qenka të vdesësh! A e keni lajmëruar vallë pastorin tim?”. “Po, ja, zëre se erdhi.” Pastori vjen. “Zotëri, më ka zënë frika se po më qaset vdekja!” [“Po si kështu” gjegjet pastori,] “Të kanë lënë fare shpresat?” “Nuk di ç’të them. Kam frikë të dal përpara Perëndisë tim. Oh, lutu pak për mua!” Pastori lutet plot zell e sinqeritet për këtë burrë dhe udha e shpëtimit vendoset përpara tij për të dhjetëmijtën herë, por përpara se ta ketë kapur fort litarin e fundit, e shoh tek zhytet thellë.

Mund t’i mbyll me duart e mia ato qepalla të ftohta, sepse nuk do të shohin kurrë më ndonjë pamje nga gjërat e këtushme. Mirëpo, çfarë ndodhi me këtë njeri dhe ku shkuan sytë e tij të vërtetë? Është shkruar: “Dhe në ferr, duke qenë në mundime, i çoi sytë…” (Luka 16:23). Përse vallë nuk i çoi sytë më herët? Sepse atij i ishte bërë zakon kaq i fortë dëgjimi i Ungjillit, saqë shpirti i tij flinte nën të. Nëse edhe ti do të përfundoje në ferr, sa të hidhura do të ishin vajtimet e tua. Le ta zbulojnë vetë fjalët e Shpëtimtarit atë mjerim: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë” (Luka 16:24) Këto fjalë kanë një domethënie të frikshme. Mos ndodhtë kurrë që t’i shqiptosh ato përballë zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>