spurgeon dev 03 am
October 2023

A nuk janë të gjithë frymëra shërbenjëse, që dërgohen për t’u shërbyer atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?

Hebrenjve 1:14

Engjëjt janë shërbyesit e padukshëm të shenjtorëve të Perëndisë; ata na mbajnë në duar dhe na ruajnë nga fatkeqësia. Besnikëria ndaj Zotit të tyre i shtyn që t’i kenë shumë për zemër fëmijët e dashurisë së Tij; ata ngazëllehen kur djali plëngprishës kthehet te shtëpia e atit të tij këtu poshtë, dhe e mirëpresin mbërritjen e besimtarit në pallatin e Mbretit atje lart. 

Në kohët e lashta, bijtë e Perëndisë mund t’i shihnin engjëjt në formën e tyre të dukshme. Sot, megjithëse nuk mund t’i shohim dot, qielli është ende i hapur, dhe engjëjt e Perëndisë ngjiten e zbresin mbi Birin e njeriut, me qëllim që të vizitojnë trashëgimtarët e shpëtimit. Serafimët ende fluturojnë me urë zjarri të marra nga altari, për të prekur buzët e njerëzve shumë të dashur. 

Në qoftë se do të mund të na hapeshin sytë, do të mund të shihnim kuaj dhe koçi të zjarrta përreth shërbëtorëve të Zotit, sepse gjendemi të rrethuar nga një ushtri e panumërt engjëjsh, të cilët janë të gjithë rojtarë dhe mbrojtës të familjes së Mbretit. Vargjet e Spenserit nuk janë një trillim poetik, por një e vërtetë, tek këndon—

Sa shpesh që me flatra t’arta,
Ata çajnë qiejt si luftëtar’ në fluturim,
Në luftë kundër djajve t’flliqur të na vijnë në ndihmë!

Sa e lartë është pozita në të cilën ngrihen të zgjedhurit kur oborrtarët e shkëlqyer të qiellit kthehen vullnetarisht në shërbëtorët e tyre! Sa sublime është përbashkësia në të cilën kemi hyrë, meqenëse kemi marrëdhënie me krijesat e patëmeta qiellore! Sa të mbrojtur që jemi, përderisa të gjitha njëzet mijë koçitë e Perëndisë janë armatosur për shpëtimin tonë! 

Kujt i jemi borxhli për gjithë këtë? Zotit Jezu Krisht, i cili duhet të jetë i dashuri i zemrës sonë për jetë e mot, sepse falë Tij jemi bërë të denjë që të ulemi në vende qiellore, përmbi çdo principatë e pushtet. Është pikërisht Ai që e ka ngritur fushimin përreth atyre që kanë frikë prej Tij; Ai është Mikaeli i vërtetë, që e shtyp me këmbë kokën e dragoit. Gjithë nderimi të takon Ty, Jezus! O Engjëll i pranisë së Jahveh-ut, Ty ta ofron adhurimin e saj këtë mëngjes kjo familje!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin