spurgeon dev 03 pm
October 2023

Që vuajti vetë kur u tundua.

Hebrenjve 2:18

Është një e vërtetë që të gjithë e dimë, por megjithatë, zemrës së drobitur i shijon si mjalti—edhe Jezusi u tundua ashtu siç tundohem unë. E ke dëgjuar këtë të vërtetë sa e sa herë, por a e ke kuptuar atë vallë? Ai u tundua pikërisht nga të njëjtat mëkate ku biem edhe ne. Mos e shih Jezusin si të shkëputur nga natyra jonë e përbashkët njerëzore! Nëse po ecën nëpër një dhomë të errët, kujtoji vetes se Jezusi kaloi përmes saj përpara teje! Nëse je i përfshirë në një luftim të ashpër, kujtoji vetes se Jezusi është përleshur dhëmbë për dhëmbë me të njëjtin armik! Le të marrim zemër—Jezusi e ka mbajtur barrën përpara nesh, dhe gjurmët gjaknjollosura të Mbretit të lavdisë mund të shihen ende përgjatë rrugës ku po ecim në këto çaste. 

Mirëpo, ekziston një e vërtetë tjetër edhe më e ëmbël—Jezusi u tundua, por megjithatë, Ai nuk mëkatoi kurrë. Pra, shpirti im, nuk ke pse bie në mëkat, sepse Jezusi ishte njeri [si ne kur gjendej në këtë botë], dhe në qoftë se një njeri u bëri ballë këtyre tundimeve pa mëkatuar, atëherë në fuqinë e Tij, edhe nxënësit e Tij mund të arratisen nga mëkati. Disa besimtarë të rinj mendojnë se nuk kanë se si të mos mëkatojnë kur tundohen, por gabohen; të tundohesh nuk është mëkat, por të dorëzohesh përpara tundimeve është mëkat. Ja ku ka, pra, ngushëllim për ata që janë tunduar keqazi! Ka ende shumë inkurajim për ta nëse kujtojnë faktin që Zoti Jezus, megjithëse u tundua, ngadhënjeu me lavdi; dhe përderisa ngadhënjeu Ai, edhe nxënësit e Tij mund të ngadhënjejnë, sepse Jezusi është përfaqësuesi i popullit të Vet.

Kreu ka ngadhënjyer, prandaj, edhe gjymtyrët do të marrin pjesë në triumfin e Tij. Nuk ka pse të kemi frikë, sepse Krishti është me ne, i armatosur për të na mbrojtur. Vendstrehimi ynë gjendet në përqafimin e Shpëtimtarit. Mbase tundimet janë duke na sulmuar edhe në këtë çast, por ato kanë për synim të na afrojnë tek Ai. Bekuar qoftë çdo erë që na çon drejt limanit të dashurisë së Shpëtimtarit! Të bekuara janë plagët që na bëjnë të kërkojmë Mjekun e dashur! Ju o të tunduar, ejani te Shpëtimtari juaj që u tundua, sepse Ai mund të vuajë bashkë me dobësitë tuaja dhe do ta ngushëllojë çdokënd që është i sprovuar dhe i tunduar!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin