spurgeon dev 03 shtator am
September 2023

Ti që të dashuron zemra ime.

Kënga e Këngëve 1:7

Sa mirë është të kesh mundësinë të thuash për Zotin Jezus, pa asnjë “nëse” ose “por”: “Ti që të dashuron zemra ime”! Shumë mund të thonë për Jezusin vetëm se shpresojnë që e duan; ata besojnë se e duan Atë; por vetëm një përjetim i varfër dhe i cekët kënaqet që të mbetet në këtë gjendje. Askush nuk duhet të gjejë qetësi në frymën e vet derisa të ndihet mjaft i sigurt rreth kësaj çështjeje me kaq rëndësi jetike. Nuk duhet të kënaqemi me një shpresë sipërfaqësore se Jezusi na do dhe me besimin e thjeshtë se edhe ne e duam. Shenjtorët qëmoti përgjithësisht nuk e kishin zakon të flisnin me lidhëzat “por” dhe “nëse”, apo foljet “shpresoj” dhe “besoj”, por flisnin shqip dhe me siguri. “...e di kujt i kam besuar” (2 e Timoteut 1:12), tha Pali. “...unë e di që Shpengimtari im jeton” (Jobi 19:25), tha Jobi. Fito njohje të sigurt të dashurisë sate për Jezusin dhe mos u kënaq derisa të mund të flasësh për interesin që ke për Të si për një realitet—një realitet për të cilin je siguruar duke marrë dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe vulën e Tij mbi shpirtin tënd nëpërmjet besimit!

Dashuria e vërtetë për Krishtin është përherë vepër e Frymës së Shenjtë dhe duhet të ngjallet në zemër prej Tij. Ai është shkaku i efektshëm i saj; por arsyeja logjike se përse e duam Jezusin qëndron në Atë Vetë. Përse e duam Jezusin? Sepse Ai na deshi i pari. Përse e duam Jezusin? Sepse Ai e dha veten për ne. Ne kemi jetë nëpërmjet vdekjes së Tij; kemi paqe përmes gjakut të Tij. Megjithëse ishte i pasur, prapëseprapë, për hirin tonë, Ai u bë i varfër. Përse e duam Jezusin? Për shkak të përsosmërisë së personit të Tij. Ne jemi mbushur me një ndjesi për bukurinë e Tij, me një admirim për virtytet e Tij dhe me një vetëdije për përsosmërinë e Tij të pafundme! Madhështia, mirësia dhe bukuria e Tij ndërthuren në një rreze të shkëlqyeshme, për ta magjepsur shpirtin derisa ai të kënaqet aq shumë, sa të thërrasë: “Po, Ai është tërheqës në çdo anë!” (Kënga e Këngëve 5:16). Kjo është një dashuri e bekuar që e lidh zemrën me zinxhirë më të butë se mëndafshi, por më të fortë se diamanti!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin