Zoti vë në provë të drejtin.
Psalmi 11:5
Gjithçka është nën kontrollin e provanisë, dhe si rrjedhojë, të gjitha sprovat në jetën tonë të përditshme, në fund të fundit, e kanë origjinën nga Perëndia Ati ynë. Duke dalë jashtë nga porta e artë e urdhërimeve të Perëndisë, ushtritë e sprovave marshojnë në formacion, të mbathura me parzmoret e tyre të hekurta dhe të armatosura me armët e luftës. Nuk ka provani që mos jetë një derë sprove. Madje edhe mëshirat tona, porsi trëndafilat, kanë edhe ato gjembat e tyre. Njerëzit mund të mbyten në detet e begatisë po aq lehtë sa mund të fundosen në lumenjtë e ngushticës. Malet tona nuk janë edhe aq të larta dhe luginat tona nuk janë edhe aq të thella për tundimet: sprovat na zënë pusi në të gjitha udhët tona. Kudo, lart dhe poshtë nesh, ne ndeshemi me rreziqe dhe rrethohemi prej tyre. E megjithatë, asnjë shi nuk derdhet nga reja kërcënuese pa leje; çdo pikë e tij bie mbi tokë në përmbushje të urdhrave.
Sprovat që vijnë nga Perëndia, dërgohen për të vënë në provë dhe për të forcuar hiret tona, dhe kështu ilustrojnë menjëherë fuqinë e hirit hyjnor, për të vënë në provë vërtetësinë e virtyteve tona dhe për të shtuar energjinë e tyre. Zoti ynë, në urtësinë e Tij të pafundme dhe në dashurinë e Vet të pamasë, e vlerëson kaq shumë besimin e popullit të Vet, saqë nuk do ta ruajë prej atyre sprovave me anë të të cilave forcohet besimi. Nuk do ta kishe zotëruar kurrë besimin e çmuar mbi të cilin mbështetesh tashmë, po qe se sprova e besimit tënd nuk do të të kishte kaluar përmes zjarrit. Je si një pemë që nuk do të kishte zënë kurrë rrënjë kaq të forta, po qe se era nuk do të të kishte tundur sa andej-këndej dhe nuk do të të kishte shtyrë që të kapeshe fort te të vërtetat e çmuara të besëlidhjes së hirshme të Perëndisë.
Rehatia e botës është një armik i madh për besimin; ajo i liron lidhjet e zellit të shenjtë dhe i këput tejzat e guximit të shenjtëruar. Balona nuk ngrihet kurrë po qe se nuk këputen litarët, dhe është pikërisht vuajtja ajo që e kryen një shërbim të tillë për shpirtrat besimtarë. Ndërsa gruri fle rehat-rehat në lëvore, nuk vlen asnjë dyshkë për ne; ai duhet të shoshitet dhe të nxirret nga lëvozhgat pa të njihet vlera e tij. Prandaj, Zoti bën mirë që i vë në provë të drejtët, sepse kështu i bën të pasur ndaj Perëndisë.
© dritez.al 2024