Shtator_3

Shtator 2022


Ka mëngjese ku zgjohem dhe ndihem shumë i dobët. Ndihem i cenueshëm. Shpesh ndjesia është e mjegullt. Pa ndonjë kërcënim. Pa ndonjë dobësi. Thjesht një ndjesi pa trajtë që diçka do të shkojë keq dhe që do të mbaj përgjegjësi.

Zakonisht kjo vjen pas shumë kritikash. Ose ndoshta pas shumë pritshmërish, që kanë afate kohore dhe që duken të shumta e tepër të mëdha.

Teksa hedh vështrimin pas, te 50 vite mëngjesesh të tilla periodike, mahnitem se si Zoti Jezus e ka ruajtur jetën dhe shërbesën time. Tundimi për t’u larguar nga stresi nuk ka fituar kurrë–të paktën jo deri tani. Kjo është e mahnitshme! Për këtë arsye e adhuroj Perëndinë tim madhështor.

Në vend që të më lërë të zhytem në paralizën e frikës, ose të shkoj pas një martese më të lumtur, Perëndia ka ngjallur një klithmë për ndihmë dhe pastaj më është përgjigjur me premtime konkrete.

Ja një shembull i kohëve të fundit. U zgjova një mëngjes duke u ndier shumë i brishtë emocionalisht. Ndihesha i dobët dhe i cenueshëm. U luta: “Zot, më ndihmo. Madje as nuk jam i sigurt si të lutem.”

Një orë më vonë, po lexoja nga libri i Zakarias duke kërkuar ndihmën, për të cilën isha përgjëruar. Ndihma erdhi.

“Jerusalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të. Sepse unë”, thotë Zoti, “do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij.” (Zakaria 2:4-5)

Për popullin e Perëndisë do të ketë një begati dhe rritje të tillë, saqë Jerusalemi nuk do të mund të rrethohet me mure. “Për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve”, e cila do të jetë aq e madhe saqë Jerusalemi do të jetë si shumë fshatra, që shtrihen larg mbi vend dhe nuk janë të rrethuara me mure.

Begatia është gjë e mirë, por si i bëhet për t’u mbrojtur?

Këtij shqetësimi, Perëndia i përgjigjet në vargun 5: “Unë do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij.” Po. Kjo është! Ky është premtimi. Kjo është thënia “Unë do të jem” nga Perëndia. Për këtë kam nevojë.

Nëse kjo është e vërtetë për fshatrat e pambrojtura të Jerusalemit, atëherë është e vërtetë edhe për mua, fëmijën e Perëndisë. Kështu i zbatoj premtimet e Dhiatës së Vjetër për popullin e Perëndisë. Të gjitha premtimet janë po për mua në Krishtin (2 e Korintasve 1:20). Për ata që janë në Krishtin, pas çdo premtimi, gjendet një shtesë: “sa më tepër.” Perëndia do të jetë një “mur zjarri rreth e qark” meje. Po. Do të jetë. I tillë ka qenë dhe i tillë do të jetë.

Madje është edhe më mirë se kaq. Brenda atij muri të zjarrtë mbrojtjeje, Perëndia thotë: “Do të jem lavdia e tij në mes të tij.” Perëndia nuk është kurrë i kënaqur që të na japë vetëm mbrojtjen e zjarrit të Tij; Ai synon të na japë kënaqësinë e pranisë së Tij. Sa i dua këto thënie “Unë do të” nga Perëndia!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia