Shtator_4

Shtator 2022


Jezusi heq qafe çdo shkëputje të urdhërimeve nga dashuria.

Ai thotë: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia... Kush ka urdhërimet e mia dhe i mban, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë” (Gjoni 14:15, 21). “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij” (Gjoni 15:10).

Të menduarit për urdhërimet dhe për bindjen, nuk e pengoi Jezusin që të kënaqej me dashurinë e Atit të Tij. Ai gjithashtu pret që të menduarit tonë për Të, si ai që urdhëron, nuk do ta rrezikojë as marrëdhënien tonë të dashurisë me Të.

Kjo është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë, sepse marrëdhënia e besëlidhjes së re, që kemi me Perëndinë përmes Jezu Krishtit, nuk është një besëlidhje pa urdhërime. Ndryshimi bazë mes besëlidhjes së vjetër, të ofruar nga Perëndia përmes ligjit të Moisiut dhe besëlidhjes së re, të ofruar nga Perëndia përmes Krishtit, nuk është që njëra përmbante urdhërime dhe tjetra jo.

Dallimet kyç janë që (1) Mesia, Jezusi, ka ardhur dhe ka derdhur gjakun e besëlidhjes së re (Mateu 26:28; Hebrenjve 10:29), prandaj tani e tutje Ai është Ndërmjetësi i besëlidhjes së re, dhe për pasojë, i gjithë besimi shpëtues dhe që e respekton besëlidhjen, është besim i vetëdijshëm në Të; (2) si pasojë, besëlidhja e vjetër është “vjetruar” (Hebrenjve 8:13) dhe nuk ka pushtet mbi popullin e besëlidhjes së re të Perëndisë (2 e Korintasve 3:7-18; Romakëve 7:4; Galatasve 3:19); dhe (3) zemra e re e premtuar dhe fuqia aftësuese e Frymës së Shenjtë na janë dhënë me anë të besimit.

Në besëlidhjen e vjetër, fuqia e hirshme e aftësuese për t’iu bindur Perëndisë nuk u derdh aq plotësisht sa është derdhur që nga Jezusi e këtej. “Deri sot ZOTI nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar” (Ligji i Përtërirë 29:4). Ajo çfarë e bën të re besëlidhjen e re, nuk është që ajo nuk ka urdhërime, por që premtimet e Perëndisë janë përmbushur! “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre” (Jeremia 31:33). “Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia” (Ezekieli 36:27).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>