Ata ishin poçarë dhe banonin në Netaim* dhe në Gederah*; banonin aty bashkë me mbretin dhe ishin në shërbim të tij.
1 i Kronikave 4:23
Poçarët nuk ishin sëra më e lartë e punëtorëve, por mbreti kishte nevojë për ta, dhe ja pse ata ishin ngritur në shërbimin mbretëror, megjithëse lënda me të cilën punonin, nuk ishte veçse argjilë. Po kështu, edhe ne mund të jemi të angazhuar në një nga punët më të ulëta në shërbim të Zotit, por është një privilegj i madh të bësh diçka për Mbretin; prandaj do ta bëjmë pjesën tonë, duke shpresuar se, edhe pse jetojmë mes poçeve, do të shkëlqejmë në shërbimin ndaj Zotërisë tonë.
Këta njerëz jetonin mes barërave e gardheve, dhe duhej të kryenin një punë të lodhshme, të rëndomtë, gardhuese dhe gërmuese. Mbase ata dëshironin të jetonin në qytet, mes atmosferës, shoqërisë dhe sqimës së jetës qytetare, por ata, prapëseprapë, nuk lëviznin nga vendi që u ishte caktuar, sepse ishin në shërbim të mbretit. Për ne nuk ka asnjë vend ideal ku t’i shërbejmë Perëndisë, përveç vendit në të cilin Ai na vendos. Ne nuk duhet të largohemi prej tij se kështu na e do qejfi, por duhet të qëndrojmë për t’i shërbyer Zotit aty ku jemi, duke qenë një bekim për ata mes të cilëve jetojmë. Këta poçarë dhe kopshtarë gëzonin shoqërinë e mbretit, sepse banonin bashkë me të, dhe megjithëse jetonin mes gardheve dhe bimëve, ata banonin aty bashkë me mbretin. Nuk ka asnjë vend të ligjshëm apo punë të hirshme, sado e ulët qoftë ajo, që të mund të na pengojë në pasjen e përbashkësisë me Zotin tonë. Kur shkojmë të vizitojmë kasolle, lagje të varfra apo burgje, ta dimë se po shkojmë bashkë me Mbretin. Mund të mbështetemi në përbashkësinë e Jezusit në të gjitha veprat e besimit. Kur jemi duke bërë punën e Tij, mund të presim që të shohim buzëqeshjen e Tij.
Ju punëtorë të panjohur që i shërbeni Zotit mes pisllëkut dhe mjerimit të vendeve më të ndyra, merrni zemër, sepse edhe xhevahiret shpesh janë gjetur nëpër plehra, enët e baltës janë mbushur me thesare qiellore dhe barërat e këqija janë shndërruar në lule me bukuri dhe aromë të rrallë. Banoni bashkë me Mbretin dhe kryeni punën e Tij, dhe kur Ai të shkruajë kronikat e Veta, emri juaj do të regjistrohet në to.
*Shënim i përkthyesit: Në versionin e Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV), këto dy toponime janë përkthyer me termat “barëra” dhe “gardhe”.
© dritez.al 2024