spurgeon dev 03 qershor pm
Qershor 2023

E përuli veten.

Filipianëve 2:8

Nuk ka mësues më të madh sesa Jezusi për sa i përket përulësisë së zemrës. Na duhet të mësojmë përditë prej Tij. Pa shikoje Mjeshtrin tek merr një peshqir dhe u lan këmbët dishepujve të Tij! Nxënës i Jezusit, a nuk do ta përulësh edhe ti veten? Pa shikoje Atë si Shërbëtorin e shërbëtorëve, dhe me siguri që nuk mund të jesh krenar! Kjo fjali përmbledh vetë jetën e Tij: “E përuli veten.” A nuk është e vërtetë të themi se e kaloi jetën këtu mbi tokë duke i hequr një nga një petkat e nderimit, derisa e mbërthyen në kryq të zhveshur lakuriq? Dhe a nuk e zbrazi veten e Tij duke derdhur gjakun e Vet, madje duke e dhënë gjithçka për ne, derisa e varrosën pa asnjë kacidhe në një varr të marrë borxh? Sa poshtë u ul Shpëtimtari ynë i dashur! Atëherë, si mundet vallë të jemi krenarë?

Qëndro në këmbët e kryqit dhe numëro pikat e purpurta me anë të të cilave je pastruar; shiko kurorën e gjembave; vëre supet e bëra plagë nga kamxhiku; shih duart dhe këmbët e tejshpuara nga gozhdët e hekurta dhe gjithë qenien e Tij të dorëzuar përpara talljes dhe përçmimit; shih hidhërimin, sëmbimet dhe spazmat e dhimbjes së Tij të brendshme, të cilat pasqyrohen në pamjen e Tij të jashtme; dëgjo britmën zemërçjerrëse: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”. Dhe në qoftë se ende nuk je shtrirë përtokë përpara atij kryqi, kjo do të thotë se nuk e ke parë kurrë atë: nëse nuk je përulur në praninë të Jezusit, kjo do të thotë se nuk e njeh Atë.

Ti ishe kaq i humbur, saqë nuk mund të të shpëtonte asgjë tjetër, veç flijimit të të vetmit Bir të Perëndisë. Mendo për këto gjëra, dhe ashtu siç Jezusi e përuli veten për ty, bjer në gjunjë me përulësi në këmbët e Tij. Ndjesia e dashurisë së mahnitshme të Jezusit për ne ka më shumë gjasa të na përulë më tepër sesa vetëdijesimi për fajin tonë. Na shpëntë Zoti në meditim në kodrën e Golgotës; dhe atëherë, pozicioni ynë nuk do të jetë më ai prej njeriu krenar e të kapardisur, por do të zëmë vendin e poshtëm të dikujt që do shumë, sepse i është falur shumë.

Krenaria nuk jeton dot poshtë kryqit. Le të ulemi atje dhe të nxjerrim mësimet [e duhura], dhe pastaj le të ngrihemi dhe t’i vëmë ato në praktikë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin