Dhe e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
Gjoni 19:16
Ai e kishte gdhirë natën në agoni, ndërsa në orët e para të mëngjesit e kishin çuar me nxitim nga oborri i Kajafës te Pilati, nga Pilati te Herodi dhe nga Herodi e kishin kthyer sërish te Pilati. Për pasojë, nuk i kishte mbetur më asnjë pikë fuqie dhe ç’është më e keqja, as i kishin dhënë për të ngrënë dhe as e kishin lënë të pushonte. Ata ishin të etur për gjakun e Tij, dhe për këtë arsye po e çonin drejt vdekjes, madje mbi shpatulla i kishin ngarkuar edhe kryqin. Bijat e Jerusalemit qanë me dënesë në këtë kortezh, po ashtu qan edhe shpirti im pas tyre.
Ç’mësim nxjerrim këtu, duke e parë Zotin tonë të bekuar tek e çojnë drejt kryqit? A nuk e dallojmë vallë të vërtetën që u paratregua me anë të cjapit fajshlyes? Kujtoni se si kryeprifti e sillte cjapin fajshlyes dhe i vendoste duart mbi kokën e tij, duke rrëfyer mëkatet e popullit, me qëllim që ato mëkate të mund të transferoheshin nga populli dhe të vendoseshin mbi cjapin. Pastaj cjapi çohej në shkretëtirë, duke mbartur mëkatet e popullit, që edhe nëse do t’i kërkonin ato mëkate, nuk do të mund t’i gjenin dot.
Ndërsa tani e shohim Jezusin tek e sjellin përpara priftërinjve dhe sundimtarëve, të cilët e shpallin Atë fajtor. Vetë Perëndia po i vendos mëkatet tona mbi Të: “ZOTI bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6); “...e bëri mëkat për ne” (2 e Korintasve 5:21). Dhe si zëvendësuesi për fajin tonë, duke e mbajtur mëkatin tonë mbi shpatullat e Tij, siç portretizohet nga kryqi, e shohim Cjapin e madh Fajshlyes tek çohet tutje nga ekzekutuesit e caktuar të drejtësisë.
Shumë i dashur, a ndihesh i sigurt që Ai e mori mbi vete mëkatin tënd? Kur e sheh kryqin mbi shptatullat e Tij, a e përfaqëson kryqi mëkatin tënd? Ka vetëm një mënyrë për të zbuluar nëse Ai vërtet e mori mbi vete mëkatin tënd. A e ke vendosur dorën mbi kokën e Tij? A ia ke rrëfyer mëkatin dhe a ke besuar tek Ai?
Nëse është kështu, mëkati yt nuk qëndron më mbi ty; ai është transferuar krejtësisht mbi Krishtin, me anë të asaj llogaritjeje të bekuar, dhe Ai e mban atë mbi shpatullat e Tij si një barrë edhe më të rëndë sesa kryqi.
Mos e largo këtë tablo nga mendja derisa të kesh ngazëlluar më parë në çlirimin tënd dhe të jesh përkulur i mahnitur në adhurim përpara Shpenguesit mbi të cilin ranë paudhësitë e tua!
© dritez.al 2024