Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.
Isaia 53:6
Ky varg përmban një rrëfim të përbashkët mëkati nga të gjithë të zgjedhurit e Perëndisë. Ata të gjithë kanë rënë dhe për pasojë, me një zë të vetëm, nga shenjtori i parë që u ngjit në qiell e deri tek i fundit që do të mbërrijë atje një ditë, të gjithë thonë: “Ne të gjithë endeshim si dele.”
Edhe pse rrëfimi është i njëzëshëm, është megjithatë personal dhe i përveçëm: “Secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.” Megjithëse të gjithë janë mëkatarë, çdo individ përballet me mëkatin e tij ose të saj karakteristik, i cili nuk gjendet te dikush tjetër. Në këtë dallohet pendimi i vërtetë, që megjithëse lidhet natyrshëm me të penduarit e tjerë, përsëri merr një pozicion vetmitar. “Secili prej nesh ndiqte rrugën e vet”, kjo frazë na rrëfen se çdo individ kishte mëkatuar kundër dritës në mënyrën e vet të veçantë, ose kishte mëkatuar ndaj saj me një rrethanë rënduese, që ai nuk mund ta gjente te të tjerët.
Ky rrëfim është pa rezerva; nuk ka fjalë që mund ta zbusë forcën e tij, apo rrokje për ta justifikuar atë. Ky rrëfim i thotë lamtumirë çdo pretendimi vetëdrejtësie. Kjo është deklarata e njerëzve që janë të ndërgjegjshëm për fajin e tyre—fajtorë me rrethana rënduese, fajtorë pa asnjë justifikim: ata mbajnë në duar armët e kryengritjes të bëra copash dhe vajtojnë: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.”
Mirëpo, nuk dëgjojmë ndonjë vajtim të thekshëm që ta shoqërojë këtë rrëfim mëkati; sepse fjalia tjetër e kthen pothuajse në një këngë. “ZOTI bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” Kjo është fjalia më e dhimbshme nga të tria, por është e tejmbushur me ngushëllim. Është e çuditshme se aty ku kishte mjerim me bollëk, mbretëroi mëshira; dhe aty ku pikëllimi arriti kulmin, shpirtrat e dërrmuar gjejnë prehje. Shpëtimtari i lënduar është shërimi i zemrave të lënduara.
Shihni se si pendimi i përulur i hap udhën sigurisë së palëkundur, thjesht duke e soditur Krishtin në kryq!
© dritez.al 2024