spurgeon dev 03 nëntor pm
November 2023

Lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.

2 i Kronikave 30:27

Për të krishterin, lutja është reagimi që nuk të lë kurrë në baltë, në asnjë rast, në asnjë situatë të vështirë. Kur nuk e përdor dot shpatën, mund të marrësh në duar armën e lutjes. Baruti mund të të laget, teli i harkut mund të të shtendoset, por arma e lutjes nuk duhet të dalë asnjëherë nga përdorimi. Satani qesh me shtizën, por fërgëllon si një gjethe vjeshte përpara lutjes. Shpatat dhe heshtat duhen mprehur, por lutja nuk ndryshket asnjëherë; madje edhe kur na duket si shumë e topitur, atëherë pret edhe më mirë. Lutja është një derë e hapur, të cilën askush nuk e mbyll dot. Djajtë mund të të rrethojnë nga çdo anë, por rruga e lutjes drejt qiellit është përherë e hapur, dhe për sa kohë që ajo rrugë mbetet e hapur, nuk do të biesh në duart e armikut. 

Nuk ka rrethim apo pushtim që mund të na mposhtë, për sa kohë që ndihma qiellore mund të zbresë nga qielli dhe të na çlirojë në kohë nevoje. Lutjes nuk i ikën asnjëherë koha: të mirat e saj janë të vlefshme si në verë edhe në dimër. Lutja fiton të drejtën e audiencës para fronit të qiellit në mes të natës, në mes të ditës së punës, në zhegun e mesditës dhe në mugëtirën e mbrëmjes. Cilado qoftë gjendja jote, qoftë ajo e përshkuar nga skamja, a sëmundja, a terri, a shpifjet, a dyshimet, Perëndia yt i besëlidhjes do ta mirëpresë lutjen tënde dhe do t’i përgjigjet nga vendi i Tij i shenjtë.

Po ashtu, lutja nuk është asnjëherë e kotë. Lutja e sinqertë është vërtet e fuqishme. Mund të mos e marrësh gjithmonë atë që kërkon, por nuk ndodh asnjëherë që nevojat e tua reale të mos përmbushen. Kur Perëndia nuk u përgjigjet fëmijëve të Tij sipas germës, e bën këtë sipas frymës. Në qoftë se i kërkon miell misri, a do të zemëroheshe vallë sepse të jepte majë mielli? Në qoftë se i kërkon shëndet fizik, a do të ankoheshe vallë nëse Ai do të bënte që rezultati i lëngatës sate të ishte shëndeti frymëror? A nuk është vallë më mirë që kryqi të shenjtërohet në vend që të të hiqet [nga shpatullat]? Sonte, shpirti im, mos harro t’ia ofrosh përgjërimet dhe kërkesat e tua Zotit, sepse Ai është gati të t’i plotësojë dëshirat!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>