spurgeon dev 03 nëntor am
November 2023

“Se ja, ai po lutet.”

Veprat e Apostujve 9:11

Lutjet dallohen menjëherë në qiell. Me ta filluar lutjen Sauli, Zoti e dëgjoi. Ky është një ngushëllim për shpirtin e lutësit hallemadh. Shpesh ndodh që kur zemrat tona janë thyer dhe përgjunjemi për t’u lutur, të vetmit tinguj që mund të dalin nga goja e jonë, janë psherëtimat dhe lotët; megjithatë, rënkimi ynë i ka bërë të gjitha harpat e qiellit të prodhojnë melodi. 

Ato pika loti janë kapur nga Perëndia dhe janë ruajtur në lotoren e qiellit. “Vendosi lotët e mi në calikun tënd” (Psalmi 56:8). Kjo do të thotë se lotët kapen tek rrjedhin poshtë mollëzave. Shumë i Larti arrin ta kuptojë më së miri përgjëruesin, megjithëse frikërat e këtij të fundit ia mbysin fjalët. Ai mund ta shohë Perëndinë vetëm me sy të mjegulluar nga lotët, por “lutje është edhe rënia e një loti”. 

Lotët janë diamantet e qiellit; psherëtimat janë muzikë për oborret e Jahveh-ut, dhe numërohen mes “melodive më sublime, që arrijnë madhështinë në vendet e larta qiellore”. Kurrë mos mendo se lutja jote, sado e dobët apo fërgëlluese qoftë, nuk do të dëgjohet a merret parasysh.

Vërtet shkalla e Jakobit është e lartë, por lutjet tona do të mbështeten tek Engjëlli i besëlidhjes dhe kështu do t’u ngjiten shkallareve të saj qiellore. 

Perëndia ynë jo vetëm që e dëgjon lutjen, por edhe e dëgjon atë me shumë ëndje. 

Ai nuk e harron britmën e të përulurve. Po, i shpërfill shikimet krenare dhe fjalët mburravece; nuk i kushton vëmendje luksit dhe salltaneteve të mbretërve, dhe i mbyll veshët përpara tingujve të daulleve të kushtrimit; Atij nuk i bën përshtypje triumfi dhe krenaria e njeriut.

Mirëpo, sa herë që sheh një zemër të lënduar nga vuajtjet ose një buzë që dridhet nga agonia, apo dëgjon një ofshamë të thellë a një psherëtimë plot pendim, zemra e Jahveh-ut është e hapur.

Ai e shënon atë në regjistrin e kujtesës së Tij; Ai i vendos lutjet tona, si petale trëndafili, mes faqeve të librit të Tij të kujtimit, dhe kur ai vëllim të hapet më në fund, prej faqeve të tij do të dalë një aromë erëmirë.

Besimi sinjal nga qiejt nuk pret,
Si provë se lutjet e dëgjuara lart u ngjitën.
Prifti ynë në të Tijin vend të shenjtë qëndron,
Dhe nga froni i hirit përgjigjet gjithmonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>