“Të kam provuar [zgjedhur] në poçen [furrën] e pikëllimit.”
Isaia 48:10
Besimtar i sprovuar, ngushëlloje veten me këto fjalë të Perëndisë: “Të kam zgjedhur në furrën e pikëllimit” [KJV]!* A nuk vjen Fjala si një dush i mëndafshtë, që zbut furinë e flakëve? Po, a nuk është ky varg si një mburojë asbesti, të cilën të nxehtët nuk e përshkon dot? Le të vijë pikëllimi—Perëndia më ka zgjedhur. Mund të më trokasësh në derë, o skamje, por Perëndia është në shtëpinë time tashmë dhe Ai më ka zgjedhur. Sëmundje, ti mund të përvidhesh, por unë kam një ilaç të gatshëm kundër teje—Perëndia më ka zgjedhur. Çfarëdo që të më ndodhë në këtë luginë lotësh, unë e di se Ai më ka “zgjedhur”.
O besimtar, nëse ende të nevojitet një ngushëllim më i madh, dije se Biri i Njeriut është bashkë me ty në furrë. Në atë kthinën tënde të qetë, përkrah teje është edhe Dikush që ti nuk e ke parë, por të cilin ti e do; dhe që, shpeshherë, kur ty as nuk të shkon mendja, Ai të ngushëllon në mes të dhimbjeve të tua dhe ta bën të rehatshëm vendin ku pushon. Ti je në varfëri; por Zoti i jetës dhe i lavdisë vjen shpesh e të viziton në atë shtëpinë tënde të dashur. Ai e ka shumë për zemër të vijë nëpër këto humbëtira, në mënyrë që të mund të të vizitojë. Miku yt është më i ngushtë se një vëlla për ty. Ti nuk mund ta shohësh Atë, por mund ta ndiesh shtypjen e duarve të Tij. A nuk e dëgjon vallë zërin e Tij? Madje edhe në luginën e hijes së vdekjes, Ai thotë: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt” (Isaia 41:10).
Kujtoji ato fjalë fisnike të Cezarit: “Mos ki frikë, se ti po mbart Cezarin bashkë me gjithë pasurinë e tij”! Mos ki frikë, o i krishterë, sepse Jezusi është me ty! Në të gjitha sprovat e tua të zjarrta, prania e Tij është edhe ngushëllimi, edhe siguria jote. Ai nuk do ta braktisë kurrë atë që ka zgjedhur për Veten e Tij. “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty”, kjo është fjala e Tij e sigurt e premtimit për të zgjedhurit e Tij, të cilët janë në “furrën e pikëllimit”. Atëherë, a nuk do të kapesh fort pas Krishtit duke thënë:
Nëse Jezusi më udhëheq përmes ujërave dhe flakës,
Unë do ta ndjek kudo ku shkon?
*Shënim i përkthyesit: Vargu është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV).
© dritez.al 2024