Mars 2023

Ai pa Frymën e Perëndisë të zbresë si një pëllumb…

Mateu 3:16

Fryma e Perëndisë, ashtu siç zbriti mbi Zotin Jezus, kreun e trupit, kështu zbret në një masë të caktuar edhe mbi gjymtyrët e trupit frymëror. Ai zbret mbi ne në të njëjtën mënyrë siç zbriti mbi Zotin tonë. Shpesh, një gjë e tillë ndodh me një shpejtësi të rrufeshme, madje edhe para se të jemi të vetëdijshëm për të, ndihemi të shtyrë përpara dhe drejt qiellit përtej çdo parashikimi. Megjithatë, kjo nuk është si ngutja e nxitimit tokësor, sepse krahët e pëllumbit janë po aq të butë sa edhe të zhdërvjellët. 

Qetësia duket se është një tipar thelbësor për shumë veprimtari frymërore; Zoti flet me zërin e Tij të butë, si një pëshpëritje e ëmbël, dhe hiri i Tij përpunohet në heshtje, ashtu si vesa. 

Pëllumbi ka qenë përherë simboli përfaqësues i pastërtisë, ndërsa Fryma e Shenjtë është vetë shenjtëria. Kudo ku Ai vjen, të gjitha gjërat që janë të pastra, të dashura dhe me famë të mirë, shumohen me bollëk, ndërsa mëkati dhe papastërtia zhduken sakaq. Po ashtu, edhe paqja mbretëron aty ku Pëllumbi i Shenjtë zbret me fuqi; në sqep, Ai mban degën e ullirit, e cila tregon se ujërat e zemërimit hyjnor tashmë janë qetësuar. Zemërbutësia është një rezultat i padyshimtë i fuqisë transformuese të Pëllumbit të Shenjtë. Zemrat e prekura nga ndikimi i Tij pozitiv bëhen të buta dhe të përulura një herë e përgjithmonë.

Një pasojë tjetër që vjen natyrshëm, është edhe parrezikshmëria; shqiponjat dhe korbat mund t’i gjuajnë pretë e tyre—turtullesha mund të durojë kur i bëjnë keq, por nuk mund ta shkaktojë të keqen. Ne duhet të jemi të parrezikshëm, porsi pëllumbat. Pëllumbi është një portretizim i qëlluar i dashurisë; zëri i turtullit është plot dashuri. Po kështu, edhe shpirti që vizitohet nga Fryma e bekuar, është i mbushur buzë më buzë me dashuri për Perëndinë, dashuri vëllazërore, dashuri për mëkatarët dhe, mbi të gjitha, me dashuri për Jezusin. Fluturimi i Frymës së Perëndisë mbi sipërfaqen e ujërave ishte ai që solli rregull dhe jetë mbi këtë tokë, ndërsa, në zemrat tona, ai sjell dhe kultivon jetë dhe dritë të re. Frymë e bekuar, ashtu siç zbrite mbi Shpenguesin tonë të dashur, qëndro edhe në ne që sot e tutje!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin