Maj 2023

“Në botë do të keni shtrëngim!”

Gjoni 16:33

A mos vallë po pyet se përse ndodh kjo, o besimtar? Hidhe vështrimin lart drejt Atit tënd qiellor dhe sodite në dëlirësinë dhe shenjtërinë e Tij! A nuk e di vallë se një ditë do të bëhesh si Ai? Mendon se mund t’i përshtatesh lehtë shëmbëlltyrës së Tij? A nuk të nevojitet vallë që të kalosh mbarë e prapë nëpër furrën e pikëllimit që të pastrohesh? A mendon se mund të pastrohesh lehtë nga prishja jote dhe të bëhesh i përkryer ashtu si Ati yt që është në qiell?

Pastaj, i krishterë ktheji sytë poshtë! A e di ti vallë se ç’armiq ke poshtë këmbëve të tua? Ti ishe dikur një shërbëtor i Satanit, dhe nuk ka mbret që i humbet me plot dëshirë nënshtetasit e Tij. A mendon vallë se Satani do të të lërë rehat? Jo, i paudhi nuk do të të lërë asnjëherë rehat, sepse ai “sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 e Pjetrit 5:8). Prit andralla, pra, o i krishterë, kur shikon poshtë teje!

Tani hidhe vështrimin përreth teje! A e di vallë se ku ndodhesh? Ti ndodhesh në vendin e armikut, si një i huaj dhe shtegtar. Bota nuk është miku yt. Nëse është kështu, atëherë, ti nuk je mik i Perëndisë, sepse kushdo që është mik i botës, [në të vërtetë] është armiku i Perëndisë. Ji i sigurt se do të gjesh armiq kudo! Kur të biesh të flesh, kujto që je duke pushuar në fushë të betejës; kur të jesh në udhëtim, ruhu se mos të kanë zënë pritë prapa çdo gardhi! Duke qenë se thuhet që mushkonjat i pickojnë të huajt më shumë sesa vendasit, ashtu edhe sprovat e kësaj bote do të jenë më të ashpra për ty [sesa për ta].

Së fundi, pa shiko pak brenda vetes, në zemrën tënde, dhe vërej se çfarë ka aty brenda! Mëkati dhe natyra e vjetër janë ende brenda nesh. Ah, edhe sikur të mos kishe asnjë djall që të të shtinte në ngasje, asnjë armik që të të luftonte dhe as botën që të të ngrinte kurth, prapëseprapë do të zbuloje se je aq i ligë, sa t’i hapësh probleme të mëdha vetes, sepse “zemra është gënjeshtare mbi çdo gjë tjetër dhe e ligur keq” (Jeremia 17:9)! Kështu që prit të të zënë hallet, por mos u shkurajo për këtë shkak, sepse Perëndia është me ty, për të të ndihmuar dhe forcuar! Ai ka thënë: “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh” (Psalmi 50:15).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin