Një ndihmë gjithnjë e gatshme.
Psalmi 46:1
Bekimet e besëlidhjes nuk janë bërë vetëm për t’u kundruar, por edhe për t’u zotëruar. Edhe Zoti Jezus na është dhënë për dobinë tonë të tanishme. Besimtar, ti nuk po e përdor Krishtin ashtu siç duhet! Kur je në vështirësi, përse nuk ia tregon Atij të gjitha brengat e tua? A nuk ka Ai vallë një zemër që vuan bashkë me ty dhe a nuk mund të të ngushëllojë dhe lehtësojë? Jo, ti po shkon te të gjithë miqtë e tu, përveçse te Miku yt më i mirë, madje e rrëfen historinë tënde gjithandej, përveçse në zemrën e Zotit tënd.
A mos të rëndojnë vallë mëkatet e kësaj dite? Ja ku ke një burim të mbushur me gjak: përdore atë, shenjtor, përdore! Vallë, a të kanë pushtuar sërish ndjenja e fajit? [Ke për ta parë se] hiri falës i Jezusit do të të hyjë vazhdimisht në punë. Eja menjëherë tek Ai për t’u pastruar! A mos ankohesh vallë për dobësinë tënde? Ai është fuqia jote: përse vallë nuk mbështetesh tek Ai? A mos ndihesh i zhveshur? Afrohu, o shpirt; mbathu me petkat e drejtësisë së Jezusit! Mos rri aty vetëm duke i kundruar, por merri dhe mbathi! Zhvishu nga drejtësia jote, por edhe nga frikërat e tua: mbathu me petkat e bardha të linjta, sepse ato janë bërë pikërisht për ty që t’i veshësh.
A mos ndihesh vallë i sëmurë? Thirre Mjekun tënd të Dashur dhe Ai do të të japë ilaçin që do të të shërojë e gjallërojë! Ti je i varfër, por ke një të afërm, i cili është një njeri i fuqishëm dhe i pasur. Çfarë? A nuk do të shkosh vallë tek Ai dhe t’i kërkosh që të të japë nga bollëku i Tij, kur Ai vetë të ka premtuar se do të jesh trashëgimtar bashkë me Të dhe i ka lënë në emrin tënd gjithë Veten e Tij dhe gjithçka që Ai zotëron? Nuk ka asgjë që i pëlqen më pak Krishtit sesa kur njerëzit e Tij vijnë tek Ai sa për t’u dukur dhe nuk e përdorin sa duhet. Ai mezi pret që ta vëmë në punë. Sa më shumë barrë që t’i ngarkojmë mbi supe, aq më i çmuar do të jetë Ai për ne!
Le të jemi, pra, të hapur me Të,
Jo të druajtur, kokëfortë a të ftohtë,
Sikur Betlehemi ynë të ishte
Ashtu si së lashti Sinai qe.
© dritez.al 2024