spurgeon dev 03 korrik am
Korrik 2023

Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme.

Zanafilla 41:4

Shpesh jam zgjuar nga një makth i ngjashëm me atë të Faraonit. Ditët e mia të përtacisë i kanë rrënuar keqazi të gjitha arritjet e mia të kohëve të punës së zellshme; stinët e mia të ftohtësisë e kanë ngrirë të gjithë ngrohtësinë e përzemërt të periudhave të mia të zellit dhe entuziazmit; ndërsa krizat e mia të botëdashurisë i kanë zhbërë përparimet e mia në jetën e perëndishme. Duhet t’u ruhem lutjeve, lavdërimeve, detyrave dhe përvojave të dobëta, sepse këto do ta hanë majmërinë e përdëllimit dhe paqes sime.

Nëse e lë pas dore lutjen, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, e humbas gjithë perëndishmërinë që mund të kem arritur; nëse nuk marr furnizime të reja nga qielli, drithi i vjetër në hambarin tim, shumë shpejt konsumohet nga zia e bukës që zien në shpirtin tim. Atëherë kur larvat e indiferencës, krimbat e botëdashurisë dhe kurthet e vetëkënaqësisë ma shkretojnë plotësisht zemrën dhe e bëjnë shpirtin tim të vuajë, e gjithë frytshmëria dhe rritja ime e mëparshme në hir nuk më vlen më për asgjë.

Sa i etshëm duhet të jem që të mos kem ditë “të dobëta” dhe orë “të shëmtuara”! Në qoftë se çdo ditë udhëtoj drejt destinacionit të dëshirave të mia, do ta arrij atë shumë shpejt, por dalja nga rruga e besimit më lë ende larg çmimit të thirrjes sime të lartë dhe m’i rrëmben përparimet që i kisha arritur me aq punë e mund.

E vetmja mënyrë në të cilën të gjitha ditët e mia mund të jenë si lopët e hijshme e të majme, është që t’i ushqej ato në livadhin e duhur, t’i kaloj ato me Zotin, në shërbim të Tij, në përbashkësi me Të, në frikën e Tij dhe në rrugën e Tij. Përse të mos jetë çdo vit më i pasur sesa pararendësi i vet, me dashuri, dobishmëri dhe gëzim? Po u afrohem kodrave qiellore; përvojat e mia me Zotin kanë qenë më të shumta, ndaj duhet të jem më shumë si Ai.

O Zot, mbaje larg prej meje mallkimin e dobësisë së shpirtit; mos më lër të vajtoj për një dobësi të tillë, por qofsha i mirëushqyer e i mirëkujdesur në shtëpinë Tënde, me qëllim që ta lavdëroj emrin Tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin