Në qoftë se durojmë, do të mbretërojmë bashkë me të.
2 e Timoteut 2:12
As duhet të na shkojë nëpër mend se po vuajmë për Krishtin dhe me Krishtin, në qoftë se nuk jemi në Krishtin. Mik i shtrenjtë, a beson vetëm në Jezusin? Nëse jo, cilado qoftë arsyeja e vajtimit tënd mbi tokë, nuk je duke vuajtur me Krishtin dhe nuk ke asnjë shpresë të mbretërosh me Të në qiell. Mirëpo, as duhet të dalim në përfundimin se të gjitha vuajtjet e të krishterit janë vuajtje me Krishtin, sepse është thelbësore që ai të jetë thirrur nga Perëndia për të vuajtur.
Nëse jemi të rrëmbyer e të pakujdesshëm, dhe nxitojmë e zëmë pozita për të cilat as provania dhe as hiri nuk na kanë përgatitur, atëherë duhet ta pyesim veten nëse po mëkatojmë në vend që të kemi përbashkësi me Jezusin. Nëse e lëmë pasionin të zërë vendin e gjykimit dhe kokëfortësinë të mbretërojë në vend të autoritetit të Shkrimeve, ne do t’i luftojmë betejat e Zotit me armët e qoftëlargut, dhe pastaj nuk duhet të habitemi nëse i presim pa dashje gishtat tanë. Gjithashtu, kur na zënë hallet si pasojë e mëkatit, as të mos e ëndërrojmë se po vuajmë me Krishtin.
Kur Miriami foli keq për Moisiun dhe u prek nga lebra, ajo nuk po vuante për Perëndinë. Veç kësaj, vuajtja e pranuar prej Perëndisë duhet të ketë lavdinë e Perëndisë si qëllimin e saj përfundimtar. Nëse vuaj që të bëj emër apo që të fitoj miratimin e të tjerëve, nuk do të marr shpërblim tjetër përveç atij të Fariseut. Është gjithashtu e nevojshme që dashuria për Jezusin dhe dashuria për popullin e Tij, të jenë nxitësit e tërë durimit tonë. Duhet ta shfaqim Frymën e Krishtit në zemërbutësi, dashamirësi dhe falje.
Le ta shqyrtojmë veten dhe të shohim nëse vërtet vuajmë me Jezusin. Dhe nëse vuajmë kështu, çfarë është “shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm” (2 e Korintasve 4:17), në krahasim me mbretërimin bashkë me Të? Oh, ç’bekim është të jesh në furrë së bashku me Krishtin dhe ç’nder i madh është të qëndrosh në burg bashkë me Të, sa edhe sikur të mos kishte shpërblim të ardhshëm, ne, prapëseprapë, mund ta konsideronim veten të lumtur për nderimin e tanishëm. Mirëpo, duke qenë se shpërblimi është vërtet i amshueshëm, pafundësisht më madhështor sesa mendojmë ne, a nuk do ta marrim, pra, kryqin me zell dhe ta vazhdojmë rrugën tonë me ngazëllim?
© dritez.al 2024