3 janar

Janar 2022


Le ta bëjmë plotësisht të qartë që në fillim të vitit se gjithçka që do të marrim nga Perëndia këtë vit, si besimtarë në Jezusin, është mëshira. Çfarëdo kënaqësish apo dhimbjesh që të na vijnë, të gjitha do të jenë mëshirë.

Kjo është arsyeja pse Krishti erdhi në botë: “që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij” (Romakëve 15:9). Ne jemi lindur sërish “sipas mëshirës së tij të shumtë” (1 e Pjetrit 1:3). Ne lutemi çdo ditë “që të marrim mëshirë” (Hebrenjve 4:16); dhe tani jemi “duke pritur mëshirën e Zotit tonë, Jezu Krisht, për jetën e përjetshme” (Juda 1:21). Nëse një i krishterë del që është i besueshëm, kjo është pasi ai ka “fituar mëshirë nga Zoti për të qenë i besueshëm” (1 e Korintasve 7:25).

Te Luka 17:5-6, apostujt i përgjërohen Zotit: “Na e shto besimin!” Dhe Jezusi u thotë: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me rrënjë dhe mbillu në det’, dhe ai do t’ju bindet.” E thënë ndryshe, problemi real në jetën dhe shërbesën tonë të krishterë nuk është forca apo sasia e besimit tonë. Nuk janë këto që e shkulin pemën me rrënjë. Perëndia e bën. Prandaj, edhe besimi më i vogël që na lidh me të vërtetë me Krishtin, vë në lëvizje mjaft nga fuqia e Tij për gjithçka ke nevojë.

Por, çfarë mund të themi për ato raste kur ia ke dalë t’i bindesh Zotit? A të nxjerr bindja nga kategoria e kërkuesit të mëshirës? Jezusi e jep përgjigjen në vargjet pasardhëse te Luka 17:7-10.

“Por cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t’i thotë kur ai kthehet nga fusha: ‘Eja menjëherë në tryezë’? A nuk do t’i thotë përkundrazi: ‘Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe, që unë të ha e të pi e pastaj të hash e të pish edhe ti’? Do t’ia dijë për nder atij shërbëtori, sepse i zbatoi ato që i kishte urdhëruar? Mendoj se jo. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të padobishëm. Ne kemi bërë atë që kishim detyrë të bënim.’”

Prandaj, përfundimi im është ky, bindja më e plotë dhe besimi më i vogël, marrin të njëjtën gjë nga Perëndia: mëshirë. Një besim i vogël sa fara e sinapit lidhet me mëshirën e fuqisë së Perëndisë, e cila i shkul pemët me rrënjë. Edhe bindja e patëmetë na lë krejtësisht të varur te mëshira.

Pra: Cilado qoftë koha ose forma e mëshirës së Perëndisë, ne kurrë nuk ngrihemi më lart në status sesa thjesht si përfitues të mëshirës. Ne varemi gjithmonë tek ajo, që nuk e meritojmë.

Prandaj, le ta përulim veten, le të ngazëllojmë dhe ta “përlëvdojmë Perëndinë për mëshirën e tij!”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia