…dhe llamba e tij është Qengji.
Zbulesa 21:23
Me qetësi, sodite Qengjin si dritën e qiellit. Në Shkrim lexojmë se drita është simboli i gëzimit. Gëzimi i shenjtorëve në qiell ka të bëjë pikërisht me këtë: Jezusi na zgjodhi, na deshi, na bleu, na pastroi, na veshi, na ruajti, na përlëvdoi: ne gjendemi këtu vetëm e vetëm për shkak të Zotit Jezus. Secili prej këtyre mendimeve do të jetë për ta po aq i ëmbël sa një vile rrushi.
Drita është gjithashtu shkaku i bukurisë. Me venitjen e dritës, çdo bukuri e mundshme zhduket. Në mungesë të dritës, safirët pushojnë së vezulluari, margaritarët nuk rrezatojnë më paqësisht; dhe kështu, Jezusi është burimi parësor i bukurisë së shenjtorëve atje lart. Ashtu si planetët, edhe ata pasqyrojnë dritën e Diellit të Drejtësisë; ata jetojnë si rreze që dalin prej sferës qendrore. Nëse Ai do të tërhiqej, ata do të vdisnin; nëse lavdia e Tij do të mbulohej, lavdia e tyre do të zhdukej.
Drita është gjithashtu simboli i njohjes. Në qiell, njohuria jonë do të përsoset, sepse vetë Zoti Jezus do të jetë burimi i saj. Provanitë e paqarta, të cilat nuk arritëm t’i kuptonim më herët, atëherë do të bëhen lehtësisht të lexueshme, dhe gjithçka që tani na mundon si e pakapshme, do të bëhet e kuptueshme për ne në dritën e Qengjit. Oh, çfarë zbulimesh që do të kemi dhe sa shumë do të përlëvdohet Perëndia i dashurisë!
Drita gjithashtu nënkupton shfaqje. Drita shfaq. Në këtë botë, ende nuk është shfaqur se ç’do të jemi. Njerëzit e Perëndisë janë një popull i fshehur, por kur Krishti t’i marrë të Vetët në qiell, Ai vetë do t’i prekë me shkopin e dashurisë së Tij dhe do t’i shndërrojë ata në shëmbëllimin e lavdisë së Tij të shfaqur. Ata ishin të gjorë e të mjerë, por ja se ç’shndërrim pësuan! Ata ishin të ndotur me mëkat, por me një prekje të gishtit të Tij, ja tek u bënë të shndritshëm si dielli dhe të qartë si kristali. Oh, çfarë shfaqjeje! Gjithçka rrezaton nga Qengji i lartësuar. Jezusi do të jetë epiqendra dhe thelbi i çdo gjëje që ndriçon me shkëlqim rrëzëllues. Planifiko të jesh i pranishëm, që ta shohësh Atë në dritën e Tij, Mbretin e mbretërve, Zotin e zotërve!
© dritez.al 2024