spurgeon dev 03 gusht pm
August 2023

Ndërsa ai po shkonte atje, turma po shtyhej rreth tij.

Luka 8:42

Jezusi po kalonte përmes turmës për të vajtur te shtëpia e Jairit, që të mund të ringjallte bijën e vdekur të kryetarit të sinagogës. Mirëpo, Ai është kaq i mbushur me mirësi, saqë kryen një mrekulli tjetër gjatë rrugës për atje. Për shumicën prej nesh mjafton që të kemi një qëllim të caktuar dhe të shkojmë e ta realizojmë atë, pa i harxhuar në mënyrë impulsive energjitë tona gjatë rrugës. Nëse nxitojmë të shpëtojmë një shok që po na mbytet, nuk mund t’ia lejojmë vetes që ta harxhojmë fuqinë tonë duke i ardhur në ndihmë një personi tjetër, që gjendet në të njëjtin rrezik. Mjafton që një pemë të japë vetëm nga një lloj fryti, ndërsa një njeri të përmbushë thirrjen e tij të veçantë.

Mirëpo, Zoti Jezus nuk njeh caqe fuqie apo kufij misioni. Ai është kaq i pasur me hir, saqë, ashtu si dielli që shkëlqen tek bën përpara në orbitën e tij, edhe shtegu i Tij ndriçon me dashamirësi. Ai është një shigjetë e shpejtë dashurie, e cila jo vetëm që godet shënjestrën e vet të caktuar, por edhe e parfumos ajrin përmes të cilit rrëshqet. Jezusi është një përhapës i vazhdueshëm i virtytit, porsi lulet që përhapin gjithë ditën aromat e tyre të ëmbla; madje Ai do të rrezatojë vazhdimisht virtyt, porsi burimi gurgullues që nxjerr ujë gjithë kohën.

Sa na e gëzon zemrën nxitja që na ofron kjo e vërtetë! Në qoftë se Zoti ynë është kaq i gatshëm të shërojë të sëmurët dhe të bekojë nevojtarët, atëherë, shpirti im, mos humb kohë, por zërja shtegun, me qëllim që të mund të buzëqeshë edhe mbi ty! Mos ji i plogësht për të kërkuar, sepse Ai është kaq bujar në të dhënë! Kushtoji shumë vëmendje Fjalës së Tij tani dhe në çdo kohë, me qëllim që Jezusi t’i flasë zemrës sate përmes saj! Ngrije çadrën tënde kudo që është Ai, që të mund ta marrësh bekimin e Tij! Kur Ai gjendet në një vend duke shëruar, a mendon vallë se nuk do të të shërojë edhe ty? Mirëpo, me siguri që Ai është i pranishëm edhe në këtë çast, sepse Ai vjen gjithnjë te zemrat që kanë nevojë për të. A nuk ke nevojë edhe ti për Të vallë? Ai e di se sa shumë ke nevojë për Të; prandaj ktheje vështrimin tënd, shih se në çfarë lëngate të keqe dergjesh dhe thirri Atij teksa Ai është afër!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>