Janar 2025
T. Desmond Alexander
Ky artikull është pjesë e serisë 3 gjëra që duhet të dini rreth...
Shumica e lexuesve bashkëkohorë nuk e shohin Zanafillën si një vepër letrare të hartuar me kujdes. Jemi mësuar që ta lexojmë atë pjesë-pjesë. Mënyra tradicionale se si të krishterët e lexojnë këtë libër, publikisht dhe individualisht, nuk e lë që të ngërthehet koncepti se Zanafilla duhet të shihet si një libër i vetëm dhe koherent. Për pasojë, nuk vihen re aspekte të rëndësishme. Më poshtë dëshiroj të përmend tri karakteristika të rëndësishme të Zanafillës që duhen vënë në dukje.
1. Zanafilla u hartua që të përvijonte historinë e një vije familjare të veçantë.
Së pari, Zanafilla u hartua që të përvijonte historinë e një vije të veçantë familjare, e cila nxjerr në pah një anëtar mashkull për çdo brez (një “vijë atërore”). Fjala greke për zanafillë do të thotë “gjenealogji”. Vija atërore fillon me Adamin dhe vazhdon me djalin e tij të tretë, Sethin, për të ardhur deri te Noeu (shih Zanafilla 5:1–32). Nga Noeu, vija atërore vazhdon përmes Semit deri tek Abrahami (Zanafilla 11:10–26). Më pas, ritmi i narrativës ulet, por vëmendja që i kushtohet kësaj vije të veçantë familjare mbetet e pandryshuar. Shterpësia e Sarës kthehet në një pengesë të madhe për vazhdimin e saj, por Perëndia i mundësoi Sarës që të lindte një bir, Isakun. Pas Isakut, vija atërore vazhdon me Jakobin (të cilit më pas i ndryshohet emri në Izrael), vëllai më i vogël binjak i Esaut. Esau duhet të kishte qenë ai që do ta vazhdonte vijën atërore, por ai e përçmoi parëbirninë e vet dhe ia shiti atë vëllait më të vogël, Jakobit, për një pjatë supë me thjerrëza, i cili dëshironte që të ishte pjesë e vijës atërore (Zanafilla 25:29–34). Pas Jakobit, vija atërore lidhet me Jozefin (shih 1 i Kronikave 5:1–2) dhe djalin e tij më të vogël, Efraimin, të cilin Jakobi e vendos përpara vëllait më të madh, Manasit (Zanafilla 48:13–20). Është interesant fakti që Zanafilla na jep shpesh hollësi se përse bijtë e parëlindur nuk bëhen pjesë e vijës atërore (për shembull, lidhja e gabuar e Rubenit me Bilhahën; shih Zanafilla 35:22).
Edhe pse Jozefi gëzon përparësi mbi vëllezërit e tij më të mëdhenj, Zanafilla paraqet një pikë kthese të rëndësishme në historinë e vijës atërore. Te Zanafilla 38, një pasazh ky që shpesh shihet me bezdisje, sepse ndërpret historinë e jetës së Jozefit, shohim që vëmendja zhvendoset te Juda. Po ta lexojmë duke pasur një sy te vija atërore, Zanafilla 38 ka të bëjë me përvijimin e vijës së Judës, e cila vihet në rrezik kur djemtë e tij të mëdhenj vdesin të goditur nga Perëndia. Ndërhyrja e jashtëzakonshme e Tamarës sjell një ndryshim rrënjësor në jetën e Judës dhe çon në lindjen e dy binjakëve. Në çastin e lindjes, edhe një herë tjetër ndodh që parimi i parëbirnisë (e drejta trashëgimore e fëmijës së parë) përmbyset, për shkak se Peretsi del përpara Zerahut. Më pas, Jakobi e bekon Judën në një mënyrë të tillë që lë të kuptohet se vija mbretërore do të dalë prej pasardhësve të tij (Zanafilla 49:8–12). Realizimi i këtij bekimi do të ndodhë disa shekuj më pas në kohën e Samuelit (shih Psalmi 78:67–72).
Mirëpo, përse vallë është kaq e rëndësishme vija atërore? Qysh prej Zanafillës 3:15, vija atërore tregon udhën drejt pasardhësit të ardhshëm të Evës që do të mposhtë gjarprin, kryearmikun e Perëndisë. Gjatë Zanafillës, zbulojmë se ky pasardhës i premtuar do të jetë një mbret që do të ndërmjetësojë bekimin e Perëndisë drejt kombeve të botës dhe që si një mëkëmbës i përsosur do të vendosë mbretërinë e Perëndisë. Duke ngjallur këto pritshmëri, Zanafilla e pret me padurim ardhjen e Jezu Krishtit.
2. Perëndia vendosi një besëlidhje të përjetshme me Abrahamin, duke e bërë atë atin e shumë kombeve.
Së dyti, mbi themelin e vijës atërore të Zanafillës, Perëndia vendos një besëlidhje të përjetshme me Abrahamin, duke shpallur se ai do të bëhet ati i shumë kombeve (Zanafilla 17:4–5). Shumica e lexuesve të Zanafillës, madje edhe shumë studiues, përqendrohen vetëm te besëlidhja e Zanafillës 15, e cila ka të bëjë me Abrahamin si atin e një kombi, pra, të atij të Izraelit. Mirëpo, besëlidhja e Zanafillës 17 është tej mase më e rëndësishme dhe duke përfshirë edhe atë të mëparshmen, e zgjeron atësinë e Abrahamit mbi kombet. Atësia nuk është biologjike për nga natyra, por frymërore. Besëlidhja e rrethprerjes garanton që një nga pasardhësit e Abrahamit do të sjellë bekimin e Perëndisë për ata që e njohin Atë si Mbretin e tyre. Për pasojë, pritshmëria që kombet do t’i shërbejnë një mbreti të ardhshëm, pasqyrohet në bekimet patriarkale që Isaku ia dha Jakobit (Zanafilla 27:29) dhe Jakobi Judës (Zanafilla 49:10). Kur kalojmë në Dhiatën e Re, vërejmë se si apostulli Pjetër e sheh Jezu Krishtin si Atë që sjell përmbushjen e premtimeve që iu dhanë Abrahamit (Veprat e Apostujve 3:25–26). Në mënyrë të ngjashme, sipas apostullit Pal, premtimet që lidhen me besëlidhjen e rrethprerjes hapin rrugën për përfshirjen e johebrenjve në popullin e Perëndisë (Galatasve 3:15–29).
3. Tema e bekimeve është e lidhur me vijën atërore që do të na çojë më në te Jezu Krishti.
Karakteristika e tretë e Zanafillës që shpesh nuk vlerësohet sa duhet, ka të bëjë me mënyrën në të cilën tema e bekimeve lidhet me vijën atërore që me kalimin e kohës do të na çojë te Jezu Krishti. Në kopshtin e Edenit, veprimet e Adamit dhe të Evës sollën si rezultat mallkimet hyjnore që do të kishin ndikim negativ mbi jetën njerëzore. Për dallim, thirrja e Abrahamit prej Perëndisë ofron mundësinë e bekimeve hyjnore për të gjitha familjet e dheut (Zanafilla 12:1–3). Tema e bekimit lidhet më pas me pasardhësit e Abrahamit (Zanafilla 22:18). Edhe pse shpesh supozohet se ky bekim do të vinte përmes kombit të Izraelit në tërësi, Zanafilla e kufizon burimin e bekimit tek anëtarët e mëvonshëm të vijës atërore. Ky bekim (berakah) është i lidhur me personin që gëzon të drejtën e parëbirnisë (bekorah). E shohim këtë gjë veçanërisht në historinë e Jakobit dhe të Esaut, ku Jakobi është personi që i sjell bekime të tjerëve, një fakt ky që pranohet edhe prej të ungjit, Labanit (Zanafilla 30:27–30). Në mënyrë të ngjashme, Jozefi është një burim bekimi për të tjerët, një gjë kjo që shprehet qartë te Zanafilla 39:5 sa i përket të gjitha gjërave që Potifari kishte “në shtëpi dhe në fushë”. Më pas, megjithëse përfundon në burg, Jozefi lartësohet deri në atë pikë sa që bëhet “atë i Faraonit” (Zanafilla 45:8) dhe një burim bekimesh për shumë kombe gjatë një zie të tmerrshme buke.
Një lexim i gjithmbarshëm i Zanafillës zbulon që libri është hartuar me mjeshtëri. Si një kolazh letrar që është, Zanafilla huazon prej materialeve të llojeve të ndryshme për të përcjellë një mesazh të njësuar që dëshmon për Jezu Krishtin, burimin e bekimeve hyjnore për të gjithë ne.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know/Çdo libër i Biblës: 3 gjëra për secilin.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-genesis
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025