3 things about matthew 2560

Janar 2025


Mark Ross

Ky artikull është pjesë e serisë 3 gjëra që duhet të dini rreth...

Vargu i parë i ungjillit sipas Mateut na tregon tri gjëra të rëndësishme rreth Jezusit që përmbledhin shumicën e përmbajtjes së tij.

1. Mateu është një libër rreth Jezusit, i cili është Krishti.

Mateu është një libër rreth Jezusit, “Krishtit”, domethënë rreth të Vajosurit të premtuar në Dhiatën e Vjetër, apo Mesias (1 i Samuelit 2:10; Psalmi 2:2; Danieli 9:25; shih po ashtu Mateu 1:16–18; 2:4; 16:16, 20; 22:42; 23:8–10). Ungjilli sipas Mateut vijon me historinë e shpëtimit, siç zbulohet në Dhiatën e Vjetër, dhe në këtë mënyrë është dera hyrëse për në Dhiatën e Re. Mateu i referohet shpesh Dhiatës së Vjetër, madje duke shkruar me të njëjtin stil.[1]

Mirëpo, Mateu është më tepër sesa thjesht vazhdimi i asaj historie, sepse faktikisht ai është përmbushja e saj dhe kjo gjë theksohet me forcë në vijimësi. Mateu e vë në dukje dhjetë herë se ajo që ndodhi në jetën e Jezusit ishte përmbushja e asaj që kishin thënë profetët (Mateu 1:22; 2:15; 2:17; 2:23; 4:14; 8:17; 12:17; 13:35; 21:4; 27:9). Po kështu, në kapitujt 8 dhe 9 ndeshim dhjetë mrekulli që dëshmojnë për faktin se Jezusi ka fuqi të plotë që t’i sjellë popullit të Vet shërimin dhe shpëtimin e premtuar nga profetët (Mateu 8:17, duke cituar nga Isaia 53:4; krahaso me Isaia 35:5). Mateu e thekson këtë përmes mënyrës së veçantë të të treguarit të mrekullive të Jezusit, “duke shëruar çdo sëmundje e çdo ligështi” (Mateu 4:23; 9:35; 10:1). Nuk i mjaftonte të thoshte vetëm “çdo sëmundje e çdo ligështi”, sepse ai donte të vinte në dukje faktin se asgjë nuk mund t’i kundërvihej pushtetit të Tij, ja pse e përsërit përemrin e pacaktuar dy herë: “duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo ligështi”. Me anë të përdorimit të shpeshtë të titullit “Biri i Davidit”, në lidhje me shërimet e kryera nga Jezusi (Mateu 9:27; 12:23; 15:22; 20:30), ai po na tregonte se mbretëria e Tij është një mbretëri bekimesh dhe çlirimi të plotë për popullin e Tij. Në të vërtetë, Ai është Shërbëtori i vajosur (Mateu 12:18–21, duke cituar nga Isaia 42:1–3), Krishti, Mesia i shumëpritur, përmbushja e gjithë gjërave që kishin thënë profetët.

2. Mateu është një libër rreth Jezusit, birit të Davidit.

Jezu Krishti është po ashtu biri i premtuar i Davidit, Ai, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim (2 i Samuelit 7:13; Psalmi 89:3; Isaia 9:7). Mateu siguron gjenealogjinë e tij mbretërore (Mateu 1:2–17), duke e përvijuar prejardhjen e Tij në tri faza, ku e para është nga Abrahami te Davidi, e dyta nga Davidi te Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni, ndërsa e treta nga Jekonia e deri te Jozefi, biri i Davidit, i cili ishte burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezusi. Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë shpërnguljes në Babiloni, të cilën e përmend plot dy herë (Mateu 1:11, 12), Mateu na tregon se premtimi që Perëndia i bëri Davidit nuk merr fund me shpërnguljen në Babiloni. Kështu Mateu i referohet fjalëve të fundit të 2 i Mbretërve, libër i cili na thotë se vija e Davidit (përkundër vrasjes së pesë djemve të Zedekias) u ruajt gjatë shpërnguljes në Babiloni përmes Jekonias (i cili po ashtu quhet Jehoiakin; Jeremia 24:1; 2 i Mbretërve 24:6–17; 25:27–30). Libri i dytë i Mbretërve përfundon duke parathënë mbretërimin e Mesias, duke na thënë se Jehoiakini u lirua nga burgu dhe iu dha të ulet mbi gjithë mbretërit që ishin në Babiloni. Mateu përfundon me përmbushjen e këtij pasazhi, duke na treguar se Jezusit, birit të Davidit, i është dhënë gjithë çdo pushtet në qiell dhe në tokë (Mateu 28:18).

3. Mateu është një libër rreth Jezusit, birit të Abrahamit.

Mateu na tregon se Jezusi është biri i Abrahamit dhe me anë të kësaj nuk do të thotë vetëm që Jezusi është pasardhësi i Abrahamit, por edhe që është fara e premtuar e Abrahamit, Ai në të cilin do të bekohen të gjitha kombet (Zanafilla 22:18; 26:4). Shtrirja në “gjithë kombet” e shpëtimit që sjell Jezusi paraqitet në mënyrë të tërthortë në gjenealogjinë e Tij (Mateu 1:2-6), ku përmenden katër gra: tri prej tyre janë johebreje (Tamara, Rahaba dhe Ruta), ndërsa e fundit prej tyre ishte gruaja e një johebreu (Uriah hiteu, 2 i Samuelit 11:3). Pastaj, pas lindjes së Jezusit, zbulojmë se Perëndia i thërret dijetarët johebrenj përmes një ylli, që të vijnë e të adhurojnë Atë që u lind si Mbreti i Judenjve (Mateu 2:1–12, i cili përmend tërthorazi Isaian 60:1–7). Kur erdhi koha që ky Mbret të fillonte shërbesën e Tij publike, kjo ndodhi në “Galilenë e johebrenjve”, sepse Ai sjell një shpëtim për “të gjitha kombet” (Mateu 4:12–17, duke përmbushur Isaian 9:1–2).

Mes mrekullive më të para të Jezusit është shërimi i shërbëtorit të kryeqindësit romak (Mateu 8:5–13) dhe më pas ai i vajzës së gruas kanaanease, e cila ishte tmerrësisht e pushtuar nga një demon (Mateu 15:21–28). Ushqimi i katërmijë vetave (i cili, sipas Markut 7:31, ndodhi në zonën e Dekapolisit, në bregun lindor të Detit të Galilesë) tregon se Jezusi bëri për johebrenjtë atë që kishte bërë për judenjtë kur ushqeu pesëmijë vetat (Mateu 14:13–21; 15:32–38). Në Predikimin në Mal, Jezusi zbulon që ungjilli i mbretërisë duhej shpallur në mbarë botën si një dëshmi për gjithë kombet përpara se të vinte fundi (Mateu 24:14). Libri përfundon me urdhërimin e Jezusit se apostujt e Tij duhet të bënin dishepuj në mbarë kombet, çka bën fjalë edhe për përmbushjen e premtimit që i ishte bërë Abrahamit (Mateu 28:18–20).

Jezusi është Krishti, biri i Davidit dhe biri i Abrahamit, këto, pra, janë tri gjërat që duhet të dini rreth Ungjillit sipas Mateut.


[1] Për shembull, Mateu përdor fjalën greke idou më tepër se 60 herë. Shfaqet më tepër se njëmijë herë në Dhiatën e Vjetër në greqisht dhe në anglisht (KJV – Bibla e Mbretit Xhejms, ESV – versioni standard anglisht etj.) përkthehet zakonisht si “behold”, ndërsa në shqip si “ja”, por me raste përdoren edhe fjalë të tjera. Luka shkruan në një mënyrë të ngjashme, por Marku dhe Gjoni nuk e përdorin kaq shpesh këtë fjalë. Lexuesit e NIV – Versioni i Ri Ndërkombëtar, duhet të bëjnë kujdes, sepse ky version i Biblës në anglisht shpesh nuk e përdor këtë fjalë, ngaqë nuk është edhe aq e përdorshme në anglishten e sotme. Mirëpo, Mateu dhe Dhiata e Vjetër flasin pikërisht kështu, sepse kjo është një prej mënyrave sesi Bibla e thekson një pikë të caktuar. Mateu na dëshmon kështu se sa thellë ka depërtuar brenda të tijit shpirt gjuha e Dhiatës së Vjetër. Vini re se hera e parë që e përdor këtë fjalë (1:20) është pikërisht përpara një citimi të Dhiatës së Vjetër, që e përdor këtë term gjithashtu (1:23). NIV – Versioni i Ri Ndërkombëtar, nuk e përdor këtë fjalë në të dyja rastet.


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know/Çdo libër i Biblës: 3 gjëra për secilin.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-matthew

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
I dashur pastor, shmange kurthin që do ta hedhë poshtë shërbesën tënde
A është e ndaluar që të krishterët të kenë tatuazhe? (Levitiku 19)