3 things mark 2560

Janar 2025


Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...

Brandon Crowe

Ungjilli sipas Markut është më i shkurti prej katër ungjijve, por është i pasur me njohuri rreth kristologjisë – doktrinës së Krishtit. Siç ndodh me ungjijtë e tjerë, duhet t’i qasemi Markut si një narrativë e vazhdueshme për të vlerësuar mesazhin e tij teologjik. Ta lexosh Markun si një narrativë do të thotë ta lësh shumën e së tërës që të përcaktojë mënyrën se si e lexojmë një pjesë të caktuar të së tërës.

Duke pasur parasysh sa më sipër, më poshtë po rendisim tri kontribute që i nxjerrim nga narrativa e Markut.

1. Marku na e paraqet Jezusin si Birin hyjnor të Perëndisë.

Ka njerëz që mendojnë se Ungjilli sipas Markut na shfaq anën njerëzore të Jezusit, ndërsa Ungjilli sipas Gjonit, letrat e Palit, Hebrenjtë dhe libra të tjerë të Dhiatës së Re e paraqesin Jezusin si hyjnor. Sigurisht, te Marku, Jezusi paraqitet si njeri i vërtetë. Jezusi është Adami i ri që i bindet plotësisht Perëndisë dhe rivendos paqen e synuar që në kopshtin e Edenit (shih Marku 1:12–13).

Ana njerëzore e Jezusit është shpesh më e lehtë për t’u dalluar, ngaqë Jezusi paraqitet qartësisht si një njeri që jeton dhe lëviz në botën e lashtësisë. Ai shfaq zemërim, dhembshuri, lodhje, uri, vuajtje dhe në fund, Ai vdes. Duhet ta afirmojmë dhe të gëzohemi për anën njerëzore të plotë të Jezusit, sepse Shpëtimtari ynë është vërtet njerëzor dhe jo më pak sesa jemi ne.

Megjithatë, nëse mendojmë se Marku e paraqet Jezusin vetëm si vërtet njerëzor, do ta nënvlerësonim dhe do ta keqkuptonim katërçipërisht ungjillin në fjalë. Pa dyshim, ka ndodhur shpesh që studiuesit e Ungjillit sipas Markut të kenë mbajtur këtë qëndrim rreth Jezusit të përshkruar në të. Mirëpo, nuk duhet t’i humbasim shenjat e qarta treguese që Marku na jep rreth anës hyjnore të Jezusit.

Te Marku 1:1, mesazhi i ungjillit është mesazhi i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Këto fjalë e marrin të mirëqenë hyjninë e Jezusit, siç e bëjnë të qartë edhe rastet e mëtejshme në ungjill, kur përdoret termi “Biri i Perëndisë”. Termi tjetër “Biri i Perëndisë” ndeshet në pagëzimin e Jezusit, kur zëri i mbinatyrshëm qiellor e emërton Jezusin si Birin e Perëndisë (Marku 1:11). Në vijim, Jezusi emërtohet në shumë raste prej qenieve të mbinatyrshme si Biri i Perëndisë (Marku 1:24; 3:11; 5:7–10), duke përfshirë këtu edhe në episodin e shpërfytyrimit, ku vërejmë një shfaqje të shkurtër të lavdisë hyjnore të Jezusit (Marku 9:2–7). Në të vërtetë, te Marku, asnjë personazh njerëzor i papushtuar nga demonët nuk shpall se Jezusi është Biri i Perëndisë deri në fund të ungjillit, kur një kryeqindës romak që ishte pranë kryqit shpall se Jezusi ishte Biri i Perëndisë (Marku 15:39). Pas kryqit, e shohim qartë te Marku se Jezusi është ringjallur me të vërtetë prej së vdekurish siç e parashikoi Ai vetë (Marku 16:1–8), dhe kjo gjithashtu tregon për lavdinë hyjnore të Jezusit që ishte parashfaqur që në çastin e shpërfytyrimit.

Po ashtu, mund të bëjmë një listë të tërë të mënyrave se si shfaqet hyjnia e Jezusit te Marku, duke përfshirë zellin e Zotit që viziton tempullin e Vet (Isaia 40:3; Marku 1:2–3), autoritetin me të cilin Jezusi i fal mëkatet (Marku 2:5–6), pushtetin e Tij mbi natyrën (Marku 4:35–41) dhe pushtetin e Tij për të ringjallur të vdekurit (Marku 5:35–43). Për ta përmbledhur, te Marku, Jezusi nuk është vetëm vërtet njerëzor, por edhe vërtet hyjnor.

2. Jezusi flet qartë në Ungjillin sipas Markut rreth qëllimit të pashoq e zëvendësues të vdekjes së Tij.

Një tjetër tipar kyç i Markut është natyra e qëllimshme e vdekjes së Jezusit. Disa kanë pretenduar se ungjijve iu mungon teologjia e shlyerjes. Mirëpo, Marku e hedh poshtë këtë pikëpamje, sepse Jezusi e shpreh qartazi qëllimin e vdekjes së Tij në të paktën dy raste.

Një prej vargjeve më të qarta ku Jezusi flet rreth qëllimit të vdekjes së Tij është Marku 10:45: “Sepse edhe Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave”. Vini re gjuhën zëvendësuese te “si shpërblesë në vend të shumë vetave”. Kjo mënyrë të shprehuri pasqyron të folurin rreth Shërbëtorit Vuajtës tek Isaia 53:11–12.

Vargu i dytë që e demonstron natyrën zëvendësuese të vdekjes së Jezusit, gjendet në fjalët themeluese të Darkës së Zotit gjatë Darkës së Fundit (Marku 14:22–25). Këtu Jezusi tregon përmes bukës dhe verës se trupi dhe gjaku i Tij do të thyhen dhe do të derdhen për shumë veta. Edhe këtu pasqyrohet pasazhi i Shërbëtorit Vuajtës që gjendet te Isaia 53 dhe që e bën të qartë se Jezusi planifikonte që vdekja e Tij të ishte një flijim zëvendësues. Për pasojë, është gjëja e duhur që të vazhdojmë ta kremtojmë këtë vakt në përkujtim të vdekjes së Jesusit derisa Ai të kthehet sërish (shih 1 e Korintasve 11:23–26).

3. Pa e cenuar pashoqësinë e vdekjes së Krishtit, Marku po ashtu i paraqet vuajtjen dhe vdekjen e Krishtit si një model dishepullimi.

Një nga rreziqet që rrjedhin prej keqkuptimit të kryqit të Krishtit është që ai shihet thjesht si një model i idealeve sublime ose i dashurisë sakrifikuese dhe jo si një vdekje zëvendësuese. Natyrisht, mohimi i vdekjes zëvendësuese e përfaqësuese të Krishtit për mëkatarët është një gabim teologjik tepër i rëndë. Vdekja e Krishtit është e pashoqe dhe shërben për të paguar dënimin për mëkatet e popullit të Tij. Kjo duhet të afirmohet me shumë qartësi.

Në të njëjtën kohë, Marku e paraqet vdekjen e Jezusit jo vetëm si një shlyerje të pashoqe e zëvendësuese, por ai gjithashtu e paraqet atë si një model dishepullimi. Jezusi e parashikon vdekjen dhe ringjalljen e Tij plot tri herë gjatë Ungjillit sipas Markut (Marku 8:31–33; 9:31; 10:33–34), dhe në të tria rastet Ai e lidh ligjëratën e Tij rreth refuzimit dhe vuajtjes së Tij të ardhshme, me thirrjen për t’u bërë dishepull (Marku 8:34–38; 9:33–37; 10:35–45). Jezusi nuk është vetëm Shpëtimtari ynë, por Ai është gjithashtu modeli ynë për të jetuar me besnikëri në një botë të rënë (krah. me 1 e Pjetrit 2:21–25).

Përfundimi

Ungjilli sipas Markut na paraqet një Shpëtimtar që është vërtet hyjnor, vërtet njerëzor, si dhe që jep jetën e Tij në mënyrë të pashoqe si shlyerje zëvendësuese për mëkatet e popullit të Tij. Ne përfitojmë prej vdekjes së Tij me anë të besimit, teksa mësojmë prej Tij se rruga e lavdisë është rruga e vuajtjes.


Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know/Çdo libër i Biblës: 3 gjëra për secilin.


Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-mark

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Çfarë mësoi Jezusi në lidhje me dhunën dhe kthimin e faqes tjetër?
Tri gjëra që duhet të dini rreth Eksodit
I dashur pastor, shmange kurthin që do ta hedhë poshtë shërbesën tënde