spurgeon dev 29 am
October 2023

Ju, pra, lutuni kështu: “Ati ynë që je në qiej…”

Mateu 6:9

Kjo lutje fillon ashtu siç duhet të fillojnë të gjitha lutjet e vërteta, pra, në frymën e birërisë: “Ati ynë.” Nuk mund të ketë lutje të pranueshme pa thënë më parë: “Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë” (Luka 15:18). Një frymë e tillë si prej fëmije e ngërthen sakaq madhështinë e Atit që është “në qiej” dhe lartësohet në adhurim të përshpirtshëm: “U shenjtëroftë emri Yt.” Fëmija që belbëzon: “Aba, o Atë”, kthehet në një kerubim që thërret: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë.” Vetëm një hap e ndan adhurimin marramendës nga fryma e zjarrtë misionare, gjë e cila është shprehje e qartë e dashurisë birërore dhe adhurimit plot respekt—“Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”

Pastaj vijon një shprehje e ndjerë e varësisë në Perëndinë—“Bukën tonë të përditshme na e jep sot.”

Duke marrë edhe më shumë ndriçim nga Fryma, zbulojmë se jo vetëm jemi të varur nga Perëndia, por edhe se jemi mëkatarë, dhe ja pse kërkojmë mëshirë me përgjërime: “Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë.” Duke qenë se jemi falur, se na është llogaritur drejtësia e Krishtit, duke e ditur se jemi pranuar nga Perëndia, me përulësi lutemi për këmbëngulje të shenjtë: “Dhe mos na lër të biem në tundim.” Ai që është falur me të vërtetë, druhet se mos e shkel prapë; ja pse zotërimi i drejtësimit ngjall dëshirën e zjarrtë për shenjtërim. “Na i fal fajet tona”—ky është drejtësimi; ndërsa fraza “Mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu”, është shenjtërimi në të dyja format e tij: negative dhe pozitive.

Si rezultat i gjithë kësaj, vijon një shpallje lavdërimi ngadhënjimtar: “Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia, dhe lavdia, përjetë. Amen.” Ne gëzohemi, sepse Mbreti ynë sundon në provani dhe do të mbretërojë në hir, nga lumi e deri në skajet e dheut, dhe sundimi i Tij nuk do të ketë kurrë mbarim. Dhe kështu nga pikënisja e ndjesisë së birësimit dhe deri te përbashkësia me Zotin që mbretëron, shpirti udhëhiqet prej këtij modeli të shkurtër lutjeje. Zot, mësona, pra, që të lutemi kështu!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>