Por sytë e tyre ishin të penguar për të mos e njohur atë.
Luka 24:16
Dishepujt duhet ta kishin njohur Jezusin; ata e kishin dëgjuar kaq shpesh zërin e Tij dhe e kishin kundruar kaq shpesh fytyrën e Tij të shpërfytyruar, saqë mbetemi pak të habitur për faktin që nuk e njohën dot. Mirëpo, a nuk po ndodh edhe me ty një gjë e tillë? Ti nuk e ke parë Jezusin kohët e fundit. Ke qenë te tryeza e Tij, por nuk e ke takuar atje. Sonte të ka mbërthyer një shqetësim i zymtë, dhe megjithëse Ai të thotë shkoqur: “Jam Unë, mos ki frikë”, prapëseprapë, nuk mund ta njohësh dot. Mjerisht, sytë na janë penguar. E njohim zërin e Tij, e kemi parë fytyrën e Tij, kemi pushuar kokën mbi supin e Tij dhe, prapëseprapë, megjithëse Krishti gjendet shumë afër nesh, vazhdojmë të themi: “Ah, sikur të dija ku ta gjeja!”.
Duhet ta njohim Jezusin, sepse shëmbëllimin e Tij e gjejmë të reflektuar te Shkrimet, por megjithatë, sa shumë mundësi ka që ta shfletojmë atë libër të çmuar pa e gjetur askund Zotin tonë të dashur! Fëmijë i dashur i Perëndisë, a mos ndodhesh vallë në këtë gjendje? Jezusi gjendet mes zambakëve të Fjalës, dhe megjithëse ti ecën mes tyre, prapëseprapë, zor se mund ta dallosh Atë. Ai është mësuar të shëtisë mes lëndinave të Shkrimit dhe të kalojë atje kohë përbashkësie me njerëzit e Tij, ashtu siç bënte dikur Ati me Adamin në flladin e ditës, por megjithëse gjendesh në kopshtin e Shkrimit, ti vështirë se mund ta shohësh, ndonëse Ai nuk largohet kurrë prej andej.
Po përse nuk mund ta shohësh dot? Ndoshta në rastin tënd, sikundër edhe në atë të dishepujve, fajin për këtë e ka mosbesimi. Me sa duket, ata nuk prisnin ta shihnin Jezusin, dhe për pasojë nuk e njohën kur e panë. Kur vjen puna për gjërat frymërore, ajo që presim nga Zoti, përcakton në një masë të madhe edhe atë që marrim prej Tij. Vetëm besimi mund të na bëjë që ta shohim Jezusin. Bëje këtë lutjen tënde të përhershme: “Zot, hapmi sytë, që ta shoh Shpëtimtarin tim këtu pranë meje!”. Është një gjë e bekuar të duash ta shohësh Atë; por është edhe më mirë kur mund ta soditësh Atë. Ai është i mirë me ata që e kërkojnë; por me ata që e gjejnë, është i dashur përtej çdo shprehjeje apo përfytyrimi!
© dritez.al 2024