spurgeon dev 29 shtator am
September 2023

Prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën.

Levitiku 13:13

Sado e çuditshme që mund të na duket kjo rregull, prapëseprapë kishte urtësi brenda saj, sepse fakti që sëmundja bëhej e dukshme në të gjithë trupin, ishte një tregues i shëndetit të mirë. Këtë mëngjes do të bënim mirë ta nxirrnim mësimin simbolik që na jep kjo rregull e pazakontë. Edhe ne jemi të lebrosur dhe mund ta interpretojmë ligjin për të lebrosurit si të zbatueshëm edhe për ne. Kur dikush e vështron veten dhe sheh dikë krejt pa shpresë dhe që ka marrë fund plotësisht, mbuluar kokë e këmbë nga ndyrësia e mëkatit, pa asnjë gjymtyrë të pastër nga ndotja, dhe kur ky person e hedh poshtë gjithë drejtësinë e vet dhe e pranon fajin përpara Zotit, atëherë ai pastrohet falë gjakut të Jezusit dhe hirit të Perëndisë.

Paudhësia e fshehur, e cila nuk është rrëfyer dhe për të cilën askush nuk është penduar, është lebra e vërtetë, por kur mëkati shihet dhe ndihet, ai e ka marrë goditjen e tij vdekjeprurëse, dhe Zoti e sheh me sytë e mëshirës shpirtin e munduar prej mëkatit. Nuk ka asgjë më vdekjeprurëse sesa vetëdrejtësia, apo më shpresëdhënëse sesa pendimi. Duhet të rrëfejmë se nuk jemi asgjë tjetër përveçse mëkat, sepse çdo rrëfim tjetër që nuk është i tillë, do të ishte një gjysmë e vërtetë. Në fakt, në qoftë se Fryma e Shenjtë është duke punuar në ne, duke na bindur për mëkatin tonë, atëherë nuk do ta kemi aspak të vështirë për ta pranuar një gjë të tillë—ajo do të dalë vetvetiu nga goja jonë.

Sa shumë i ngushëllon vargu në fjalë ata që vuajnë nga pesha e rëndë e mëkatit! Mëkati i vajtuar dhe i rrëfyer, sado i zi dhe i ndyrë qoftë, nuk do ta lërë kurrë një njeri jashtë portës së Zotit Jezus. “...atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë [kurrë]” (Gjoni 6:37). Edhe në qoftë i pandershëm si kusari, edhe në qoftë imoral si gruaja mëkatare, edhe në qoftë mizor si Sauli i Tarsit, edhe në qoftë gjakatar si Manasi, edhe në qoftë kryengritës si djali plëngprishës, zemra e madhe e dashurisë do ta këqyrë njeriun që e ndien se nuk ka asgjë të shëndetshme brenda tij, dhe do ta shpallë të pastër, kur ky beson në Jezusin e kryqëzuar. Eja tek Ai, pra, ti mëkatar i ngarkuar rëndë!

Eja nevojtar, eja fajtor, eja ti i neveritshëm e i zhveshur;
Edhe në qofsh më i fëlliquri—ashtu siç je, eja ti.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>