spurgeon dev 29 shtator pm
September 2023

Gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis.

Kënga e Këngëve 3:4

A na pranon vallë Krishti kur shkojmë tek Ai pavarësisht gjithë mëkateve tona të dikurshme? Vallë, a nuk na qorton Ai kurrë për faktin që fillimisht kemi provuar gjithë vendet e tjera për të gjetur strehim? A është vallë dikush tjetër si Ai mbi tokë? A nuk është Ai vallë më i miri i të gjithë të mirëve dhe më i bukuri i të gjithë të bukurve? Atëherë le ta lavdërojmë Atë! Bija të Jerusalemit, lartësojeni Atë me harpë e def! Poshtë idhujt tuaj; rroftë Zoti Jezus! Shtypini nën këmbë bajrakët e kryelartësisë dhe krenarisë, por ngrini lart kryqin e Jezusit, të cilin bota e përbuz dhe tallet!

Oh, për fronin e fildishtë të Mbretit tonë! U lartësoftë Ai nga përjetësia në përjetësi dhe u ultë shpirti im te këmbët e fronit të Tij, ia puthtë këmbët dhe ia laftë me lotët e mi! Oh, sa i çmuar është Krishti! Si ka mundësi që kam menduar kaq pak për Të? Si ka mundësi që shkoj diku gjetkë për të gjetur gëzim a ngushëllim kur Ai është kaq i plotë, kaq i pasur dhe kaq kënaqësidhënës? Bashkëbesimtar, bëj një besëlidhje me zemrën tënde që nuk do ta braktisësh kurrë Atë, dhe lutju Zotit që ta ratifikojë! Përgjëroju që të të vendosë si një unazë në gishtin e Vet dhe si një byzylyk në krahun e Tij!

Lutju që të të lidhë rreth qafës, ashtu siç bën nusja me zbukurimet e saj dhe ashtu siç bën dhëndri me xhevahirët e vet! Sa do të dëshiroja të banoja në zemrën e Krishtit; sa do të dëshironte shpirti im të banonte për jetë e mot në një nga të çarat e atij shkëmbi! Edhe harabeli e ka bërë një fole ku të fusë kokën dhe dallëndyshja një çerdhe ku të vërë të vegjlit e vet pranë altarëve të Tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im! Kështu, edhe unë dëshiroj ta ngre folenë time, banesën time, në Ty. O Zot Jezus, prehja ime e vetme e vërtetë, mos u largoftë më kurrë shpirti im prej Teje, por banoftë përherë te Ti!

Kur gjej Zotin tim të çmuar,
Gjithë pasionet m’ndizen zjarr;
Me litarë e tërheq i dashuruar Atë,
E mbaj fort dhe të ikë s’e lë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>