qershor 29

Qershor 2022


Dashuria, pra, është prova që kemi lindur sërish—që jemi të krishterë, që jemi të shpëtuar.

Ndonjëherë, Bibla e bën shenjtërinë dhe dashurinë tonë për njerëzit kushtin e shpëtimit tonë përfundimtar. Me fjalë të tjera, nëse nuk jemi të shenjtë dhe të dashur, nuk do të shpëtohemi në ditën e gjykimit (p.sh. Hebrenjve 12:14; Galatasve 5:21; 1 e Korintasve 6:10). Kjo nuk do të thotë se aktet e dashurisë janë mënyra se si bëhemi të drejtë para Perëndisë. Jo, Bibla është vazhdimisht e qartë. Siç thotë edhe Efesianëve 2:8-9: “Sepse, me anë të të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret.” Jo, kur Bibla thotë se ne jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit, por që gjithashtu duhet t’i duam njerëzit që të shpëtohemi përfundimisht, ajo po thotë se besimi në premtimet e Perëndisë duhet të jetë aq real sa dashuria që besimi prodhon, vërteton realitetin e besimit.

Prandaj, dashuria për të tjerët është një kusht i hirit të ardhshëm, në kuptimin që ajo konfirmon faktin se kushti parësor, besimi, është i vërtetë. Dashurinë për të tjerët mund ta quajmë një kusht dytësor që e konfirmon vërtetësinë e kushtit parësor dhe thelbësor të besimit, i cili është gjëja e vetme që na bashkon me Krishtin dhe e merr fuqinë e Tij.

Besimi e percepton lavdinë e Perëndisë në premtimet e hirit të ardhshëm dhe përqafon gjithçka që ato zbulojnë se Perëndia është për ne në Jezusin. Ajo pamje frymërore e lavdisë së Perëndisë dhe kënaqësia jonë në të, është prova vetëvërtetuese se Perëndia na ka thirrur të jemi përfituesit e hirit të Tij. Kjo provë na çliron që të mbështetemi në premtimin e Perëndisë si premtim për ne. Kjo mbështetje në premtim na fuqizon që të duam, gjë e cila konfirmon se besimi ynë është real.

Bota ka një nevojë të dëshpëruar për një besim që i kombinon këto dy gjëra: një pamje mahnitëse të së Vërtetës së palëkundshme hyjnore dhe një fuqi krejtësisht praktike dhe të vazhdueshme për të sjellë një ndryshim çlirues në jetën tonë. Këtë dëshiroj edhe unë. Kjo është arsyeja pse jam i krishterë.

Ekziston një Perëndi i madh i hirit, i cili e madhëron bukurinë dhe vetëmjaftueshmërinë e Tij të pafundme duke i përmbushur premtimet që u jep njerëzve të pafuqishëm që i besojnë Atij. Ekziston një fuqi që vjen nga çmuarja e këtij Perëndie, e cila nuk lë pa prekur as edhe një cep apo skutë të jetës. Kjo na fuqizon të duam në mënyrat më praktike.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia