spurgeon dev 29 qershor am
Qershor 2023

Kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur në Jezusin do t’i sjellë bashkë me të.

1 e Thesalonikasve 4:14

Le të mos mendojmë se shpirti fle në pandjeshmëri. “Sot do të jesh me mua në parajsë”, kjo është pëshpëritja e Krishtit për çdo shenjtor që është duke ndërruar jetë. Ata flenë në Jezusin, por shpirtrat e tyre gjenden përpara fronit të Perëndisë, duke e lavdëruar Atë ditë e natë në tempullin e Tij, duke i kënduar “haleluja” Atij që i pastroi me gjakun e Vet nga mëkatet e tyre. Trupi fle në shtratin e tij të vetmuar tokësor, poshtë mbulesës së barit.

Por çfarë është vallë ky gjumë? Ideja që lidhet me gjumin, është “prehja”, dhe ky është mendimi që dëshiron të na përcjellë Fryma e Perëndisë. Gjumi e kthen çdo natë në shabatin e ditës. Gjumi e mbyll fort portën e shpirtit dhe i lë pas dere të gjithë furacakët për pak kohë, me qëllim që jeta e brendshme të futet brenda kopshtit veror të çlodhjes. Besimtari i rropatur nga puna e lodhshme fle në paqe, porsi fëmija i pagjumë që dremit në gjirin e së ëmës.

Të lumtur janë ata që ndërrojnë jetë në Zotin; sepse çlodhen nga të gjitha mundimet, dhe veprat e tyre u vijnë pas. Pushimi i tyre në paqe nuk do të prishet për asnjë çast, deri atëherë kur Perëndia do t’i ngjallë së vdekurish për t’u dhënë shpërblimin e plotë. Të mbrojtur nga engjëjt rojtarë, të fshehur pas perdes së mistereve të amshueshme, ata flenë, trashëgimtarët e lavdisë, derisa plotësimi i kohërave do të sjellë shpengimin e plotë.

Ç’zgjim i mrekullueshëm do të jetë ai i tyri! Në banesën e tyre të fundit, ata zbritën të rrëgjuar e të lënguar, por zgjimi i tyre nuk do të jetë i tillë. Ata ndërruan jetë me balle të rrudhura dhe tipare të plakura, por zgjohen plot nur dhe lavdi. Fara e rrëgjuar, kaq e zhveshur prej formës dhe hijeshisë, ngrihet nga pluhuri si një lule e lavdishme. Dimri i varrit ia lë vendin pranverës së shpengimit dhe verës së lavdisë. E lume është vdekja, meqenëse përmes fuqisë hyjnore na zhvesh nga këto rroba pune dhe na vesh me mantelin e dasmës i cili nuk prishet. Lum si ata që flenë në Jezusin!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin