Por kur krerët e Babilonisë i dërguan lajmëtarë për t’u informuar për mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi për ta vënë në provë e për të njohur gjithçka që ishte në zemrën e tij.
2 i Kronikave 32:31
Ezekias po i dukej vetja kaq i madh dhe po krenohej kaq shumë me favorin e Perëndisë, saqë zuri të binte në vetëdrejtësi, dhe për shkak se nisi të besonte në veten e tij, hiri i Perëndisë u tërhoq për një farë kohe prej tij, për sa u përket veprimtarive të veta të dukshme. Nëse hiri i Perëndisë do ta braktiste edhe të krishterin më të mirë, duke qenë se në zemrën e tij ka mjaftueshëm mëkat, ai do të kthehej në shkelësin më të lig. Nëse do të liheshe në mëshirë të vetes, ti që je ndjekësi më i zjarrtë i Krishtit, do të ftoheshe duke u bërë i vakët porsi Laodicea: ti që ke besim të shëndoshë, do të bëheshe i bardhë nga lebra e doktrinës së rreme; ti që tani ecën përpara Zotit në përsosmëri dhe integritet, do të shkoje sa andej-këndej dhe do të lëkundeshe për shkak të dehjes nga pasionet e liga. Ashtu si hëna, ne e marrim hua dritën tonë; megjithëse ndriçojmë kur mbi ne shkëlqen hiri, bëhemi të zinj sterrë kur Dielli i Drejtësisë tërhiqet prej nesh.
Prandaj le t’i thërrasim fort Perëndisë që të mos na braktisë kurrë. “Zot, të lutem mos më hiq Frymën tënde të Shenjtë! Mos na lër pa hirin Tënd që banon në zemrat tona! A nuk ke thënë Ti vallë: ‘Unë, ZOTI, e ruaj, e ujis çdo çast, e ruaj natën e ditën, që askush të mos e dëmtojë’ (Isaia 27:3)? Zot, na ruaj kudo ku ndodhemi! Na ruaj kur jemi në luginë, që të mos ankohemi duke folur nëpër dhëmbë kundër dorës Sate përulëse; na ruaj kur ndodhemi në majë të malit, që të mos na merren mendtë nga krenaria; na ruaj në rini kur i kemi të forta pasionet; na ruaj në pleqëri kur, duke u bërë krenarë për urtësinë tonë, mund të biem në marrëzi më të mëdha sesa ata që janë të rinj dhe mendjelehtë; na ruaj kur të jemi duke ndërruar jetë, me qëllim që mos të të mohojmë në çastet e fundit! Na ruaj në jetë, na ruaj në vdekje, na ruaj kur punojmë, na ruaj kur vuajmë, na ruaj kur luftojmë, na ruaj kur pushojmë, na ruaj gjithkund, sepse kudo kemi nevojë për Ty, o Perëndia ynë!”.
© dritez.al 2024