Prill 2023

Ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.

Jeremia 17:17

Shtegu i të krishterit nuk ndriçohet përherë nga rrezet e diellit, por ka edhe pjesë të errëta e të stuhishme. Është e vërtetë që Fjala e Perëndisë thotë: “Rrugët e saj janë rrugë të pëlqyeshme dhe tërë shtigjet e saj janë paqe” (Fjalët e Urta 3:17); dhe në fakt, dihet se besimi është i tillë, që i fal njerëzve lumturi këtu poshtë dhe gëzim aty lart. Mirëpo, përvoja na tregon se, megjithëse shtegu i të drejtëve është “si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë” (Fjalët e Urta 4:18), ka raste kur ajo dritë errësohet. Ka stinë kur retë e mbulojnë diellin e besimtarit dhe ky i fundit ecën në errësirë, pa parë asnjë rreze drite.

Të shumtë janë ata që janë gëzuar në praninë e Perëndisë për njëfarë kohe; ata janë shullëhur nën rrezet e diellit në fazat e para të jetës së tyre të krishterë. Ata kanë ecur nëpër “kullota me bar të njomë” pranë “ujërave të qeta”, por papritmas zbulojnë se qielli i lavdishëm është mbuluar nga retë; në vend të tokës së premtuar duhet të durojnë shkretëtirën; në vend të ujërave të ëmbla gjejnë burime të turbulluara, uji i të cilave ka shije të hidhur për ta, dhe thonë: “Sigurisht, nëse do të isha vërtet fëmijë i Perëndisë, një gjë e tillë nuk do të më ndodhte.” Mos thuaj kështu nëse je duke ecur në errësirë! Shenjtorët më të mirë të Perëndisë duhet ta pinë kupën me pelin; fëmijët e Tij më të dashur duhet ta mbajnë kryqin. Asnjë i krishterë nuk ka gëzuar mbrothësi të përhershme; asnjë besimtar nuk mund ta mbajë gjithmonë zemrën e tij në formë.

Ndofta Zoti të ndau për pjesë fillimisht një shteg të shtruar mirë dhe pa re, sepse ishe i dobët dhe i ndrojtur. Ai e zbuti erën për shkak të dobësisë sate, por tani që je më i fortë në jetën frymërore, duhet të fillosh të marrësh pjesë në përvojat më të pjekura dhe më të vështira, të cilat u takojnë fëmijëve të rritur të Perëndisë. Na lipsen murrlan dhe stuhi për ta ushtruar besimin tonë, me qëllim që t’i shkulim degët e kalbura të mbështetjes në forcat tona, për t’i hedhur rrënjët tona thellë e më thellë në Krishtin. Dita e fatkeqësisë na zbulon vlerën e shpresës sonë të lavdishme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin