Sepse Zoti kënaqet me popullin e tij.
Psalmi 149:4
Sa gjithëpërfshirëse është dashuria e Jezusit! Nuk ekziston asnjë interes, sado i papërfillshëm i njerëzve të Tij, që Ai të mos e marrë parasysh, dhe nuk ka asgjë që ka lidhje me mirëqenien e tyre, e cila nuk është e rëndësishme për Të. Ai jo vetëm që mendon për ty, o besimtar, si qenie e pavdekshme, por mendon për ty edhe si një qenie e vdekshme. Mos e moho dhe mos e vër kurrë në dyshim këtë: “Por te ju edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës janë të numëruara” (Mateu 10:30)! “Hapat e njeriut i drejton ZOTI, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij” (Psalmi 37:23).
Do të ishte e trishtë për ne, nëse ky mantel dashurie nuk do t’i mbulonte të gjitha shqetësimet tona, sepse sa i madh do të ishte dëmi që do të pësonim në atë pjesë të jetës, që nuk do t’i nënshtrohej mbrojtjes së hirshme të Zotit tonë! Besimtar, dije mirë se zemra e Jezusit kujdeset edhe për punët e tua më të vogla! Dashuria e Tij zemërbutë është kaq e gjerë, sa mund t’i drejtohesh Atij për të gjitha problemet e tua; sepse Ai vuan në të gjitha vuajtjet e tua, dhe si një atë që përkujdeset për fëmijët e tij, ashtu përkujdeset edhe Ai për ty. Biri i Perëndisë mban në zemrën e Tij edhe interesat më të parëndësishme të shenjtorëve të Vet.
Oh, sa zemër e madhe është e Tija, sepse jo vetëm që e njeh dhe e kupton natyrën e njerëzve të Vet, por edhe njeh e kupton shqetësimet e panumërta dhe të larmishme të këtyre të fundit! A mos mendon vallë, o i krishterë, se je i aftë ta masësh dashurinë e Krishtit? Mendo se ç’fryte të ka sjellë dashuria e Tij: drejtësim, birësim, shenjtërim dhe jetë të përjetshme! Pasuritë e mirësisë së Tij janë të panjohshme; nuk do të jesh ndonjëherë i aftë t’i përshkruash ose të paktën t’i konceptosh ato.
Oh, sa e gjerë është dashuria e Krishtit! Si do ta lëmë një dashuri të tillë të fitojë veç gjysmën e zemrës sonë? A do t’i përgjigjemi asaj me një dashuri të ftohtë? A do të marrë vallë dashamirësia e mrekullueshme dhe përkujdesja zemërbutë e Jezusit vetëm një përgjigje të mekur dhe mirënjohje të vonuar nga ana jonë? Shpirti im, akordoje harpën tënde dhe merrja një kënge të gëzuar falënderimi! Hyr në prehjen tënde me ngazëllim, sepse nuk je një shtegtar i mjerë, por një fëmijë i dashur, nën mbrojtjen dhe përkujdesjen [e Zotit tënd], i cili vigjilon mbi ty dhe siguron për ty!
© dritez.al 2024