spurgeon dev 29 nëntor am
November 2023

Mos shko përqark duke shpifur nëpër popullin tënd... qorto, gjithashtu, fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.

Levitiku 19:16-17

Shpifja përhap një helm të trefishtë, sepse i bën keq atij që e përhap, dëgjuesit dhe personit për të cilin po thuhen gjëra të paqena. Pak rëndësi ka nëse ajo që thuhet është e vërtetë apo e rreme, ky urdhërim i fjalës së Perëndisë na e ndalon të merremi me përhapjen e saj.

Reputacioni i njerëzve të Zotit duhet të jetë për ne një gjë shumë e çmuar, dhe duhet ta kemi për turp që ta ndihmojmë djallin ta çnderojë kishën dhe emrin e Zotit. Disa gjuhë kanë më shumë nevojë për kapistër sesa për mamuz. 

Të shumtë janë ata që gëzohen duke i poshtëruar vëllezërit dhe motrat e tyre, sikur përmes kësaj të ngrinin veten. Bijtë e mençur të Noeut hodhën një mantel mbi atin e tyre, por mbi vëllanë e tyre që e turpëroi të atin, ra një mallkim i frikshëm.

Një prej këtyre ditëve të zymta, mund të na nevojitet edhe neve tolerimi dhe heshtja e familjes sonë; pra, le t’ua ofrojmë me gëzim atyre që e kërkojnë prej nesh sot. Qoftë kjo motoja e familjes sonë dhe angazhimi ynë personal: Mos fol keq për askënd! 

Megjithatë, Fryma e Shenjtë na lejon që ta kritikojmë mëkatin dhe përshkruan edhe mënyrën sipas së cilës duhet ta bëjmë. Kjo bëhet duke e qortuar vëllanë sy për sy, dhe jo duke folur lehur pas kurrizit të tij. 

Një qasje e tillë është burrërore, vëllazërore, si e Krishtit, dhe, nën bekimin e Perëndisë, do të jetë e dobishme. 

A i shmangemi vallë një qëndrimi të tillë? Atëherë duhet t’i mëshojmë edhe më shumë ndërgjegjes sonë dhe të mbajmë përgjegjësi të plotë, që të mos bëhemi pjesëmarrës të mëkatit të mikut tonë, duke i bërë atij lëshime. 

Me qindra janë shpëtuar nga mëkate të shëmtuara falë paralajmërimeve me dashuri, të urta dhe të bëra në kohën e duhur nga familjarë dhe miq besnikë. Përmes mënyrës se si e qortoi Pjetrin, Zoti ynë Jezus na ka dhënë një shembull të hirshëm se si duhet t’i trajtojmë miqtë që gabojnë: me anë të lutjes që e pararendi dhe me zemërbutësinë që shfaqi tek duroi mohimin mburravec të Pjetrit, i cili e kishte të nevojshëm një paralajmërim të tillë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin