spurgeon dev 29 nëntor pm
November 2023

…aroma për vajin e vajosjes...

Eksodi 35:8

Ky vaj i vajosjes gjente përdorim të gjerë në kohën e ligjit, dhe domethënia e tij ka një rëndësi parësore edhe nën Ungjillin. Fryma e Shenjtë, i cili na vajos për çdo shërbesë të shenjtë, është i domosdoshëm për ne nëse duam t’i shërbejmë Zotit në mënyrë të pëlqyeshme. Pa ndihmën e Tij, shërbesat tona nuk janë veçse një dukje e kotë, dhe përvoja jonë e brendshme është një gjë e vdekur. Sa gjë e mjerueshme bëhet shërbesa jonë pa vajosjen e Frymës! Madje pa Të nuk vlejnë as lutjet, as lavdërimet, as përsiatjet dhe as përpjekjet private të të krishterëve!

Vajosja e shenjtë është shpirti dhe jeta e perëndishmërisë, ndërsa mungesa e saj është fatkeqësia më e dhimbshme nga të gjitha. Të dalësh përpara Zotit pa vajosje, do të ishte njëlloj sikur një levit i thjeshtë të uzurponte ofiqin e priftit—ritualet e tij do të ktheheshin në mëkate dhe jo në flijime të pranueshme. Kurrë mos guxofshim t’u hyjmë punëve të shenjta pa vajosjen shenjtëruese! Vajosja bie mbi ne nga Kreu ynë i lavdishëm; prej vajosjes së Tij përfitojmë një vajosje të bollshme edhe ne që jemi veçse cepat e rrobave të Tij. Erëzat e zgjedhura përziheshin plot art dhe kujdes për të krijuar vajin e vajosjes, për të na treguar neve se sa të pasura janë ndikimet e Frymës së Shenjtë. 

Çdo gjë e mirë gjendet në Ngushëlluesin hyjnor. Ngushëllimi i pashoq, mësimi i pagabueshëm, ripërtëritja e pavdekshme, energjia frymërore dhe shenjtërimi hyjnor, të gjitha janë të përziera me veti të tjera të shkëlqyera në vajin qiellor të vajosjes së Frymës së Shenjtë. Vaji përhap një aromë erëmirë mbi karakterin dhe natyrën e personit mbi të cilin derdhet. Nuk mund të gjendet asgjë e ngjashme me të në thesaret e zengjinëve ose në sekretet e të urtëve. Nuk është një gjë që mund të imitohet. Vjen vetëm nga Perëndia dhe, përmes Jezu Krishtit, i jepet bujarisht çdo shpirti që e pret. Le ta kërkojmë atë, sepse edhe ne mund ta kemi, madje mund ta kemi që sonte. O Zot, vajosi shërbëtorët e tu!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin